Operacioni


Policia e Durrësit tha se sekuestroi arsenal eksplozivi në Fushë-Krujë


“Marjan Gjergji, 45 vjeç, nga Rubiku, është anëtar i një rrjeti të trafikut të lëndëve eksplozive”


foto ilustruese

foto ilustruese


Tritol e dinamit për pazar në qendër të kryeqytetit të tritolit, policia i vë prangat furnitorit që akuzohet të jetë pjesë e një rrjeti të trafikut të lëndëve plasëse në vend. Me arrestimin e tregtarit, që dyshohet si një furnitor i lëndës së ndaluar për autorët e veprave penale të kryera me tritol e dinamit, është sekuestruar edhe një arsenal lëndësh eksplozive, që ishte gati për t’u hedhur në treg. Drejtoria e Policisë së Qarkut të Durrësit bëri të ditur se i arrestuari Marjan Gjergji, 45 vjeç nga Rubiku është person me precedentë të mëparshëm penalë, si dhe anëtar i një rrjeti të trafikut të lëndëve eksplozive. Operacioni është zhvilluar në qendër të qytetit të Fushë-Krujës nga shërbimet e policisë lokale të mbështetura dhe nga agjentët e antikrimit të drejtorisë së policisë së qarkut. Ky operacion deklarohet se është rezultat i një hetimi të nisur një muaj më parë, që ka dhënë dje dhe “frytin” e parë, ndërsa nën hetim është dhe klienti për të cilin ishte destinuar malli jashtë qarkullimit civil. Për arsye hetimi nuk bëhet i ditur identiteti i klientit që do të merrte në dorëzim sasinë e lëndës eksplozive të sekuestruar nga policia. Në momentin e arrestimit, Gjergjit iu sekuestruan 15 kallëpe tritol, 7 kallëpe dinamit, si dhe një numër i konsiderueshëm kapsollash detonatore, ndezësish dhe fitili zjarr-përcjellës. Marjan Gjergji është arrestuar më parë dhe nga shërbimet e Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Lezhës për mbajtje lëndësh eksplozive, ndërsa është dënuar nga drejtësia dhe për hedhjen e bashkëshortes nga ballkoni. Pas kapjes në qendër të qytetit të Fushë-Krujës, në funksion të hetimit është ushtruar kontroll i imtësishëm edhe në shtëpinë e tij në Rubik, por nuk është gjetur asgjë. Organet e përfshira në hetim nuk janë mjaftuar nga ky fakt dhe po vijojnë punën për të zbuluar vendin a vendet ku Gjergji magazinon lëndë plasëse të destinuar për tregti të kundërligjshme.


Prej një muaji, anëtarë të rrjetit të trafikut të lëndëve eksplozive, të cilit dyshohet se i përket 45-vjeçari Gjergji, janë vënë nën hetim nga policia lokale, me qëllim zbërthimin e rrjetit dhe vënien para drejtësisë. Ky hetim ndërmerret në një periudhë kur shkatërrimet dhe aktet terroriste me lëndë plasëse janë shtuar ndjeshëm. Veçanërisht në Fushë-Krujë, qytetin e njohur si kryeqytet të krimeve të kryera me eksploziv, shpërthimet që nga viti 2000 e në vazhdim janë shtuar ndjeshëm. Ndërkohë brenda këtij viti, në Fushë-Krujë përveç objekteve private, pasurive të luajtshme e të paluajtshme që janë dëmtuar me lëndë plasëse, emra ende të paidentifikuar kanë goditur edhe godinat shtetërore të policisë e bashkisë së qytetit duke përhapur panik e pasiguri në popullatë. Që nga janari janë regjistruar dy shpërthime, përkatësisht në oborret e përparme dhe të pasme të stacionit të Policisë së Fushë-Krujës, si dhe një shpërthim tjetër brenda rrethimit të bashkisë së këtij qyteti.


V. Qyrfyçi