Vendimi për përjashtimin me 60 ditë të deputetit Agron Shehaj është bërë pjesë e debateve në seancën plenare, ku deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, ka kritikuar drejtimin e Kuvendit dhe mazhorancën.

Duke iu drejtuar kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, Kapri akuzoi shumicën se po përpiqet të kufizojë hapësirën e opozitës në Parlament. Ai e lidhi vendimin ndaj Shehajt edhe me protestat e opozitës në Tiranë, duke pretenduar se mazhoranca po përpiqet të pengojë zërat kundërshtues.

“Jeni sërish të frikësuar nga vezët. Vazhdoni të dhunoni protestën dhe zërin e opozitës në këtë sallë, por nuk do t’ia dilni”, deklaroi Kapri.

Në fjalën e tij, deputeti komentoi edhe debatin për pagat e gjyqtarëve, të cilin e cilësoi si të stisur, ndërsa iu referua gjithashtu vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese.

Kapri hodhi akuza politike edhe ndaj mazhorancës lidhur me SPAK-un, duke pretenduar se përpjekjet për të penguar veprimet e Prokurorisë së Posaçme ndaj drejtuesve të shumicës nuk do të kenë sukses.

Në përfundim, ai kërkoi që Kuvendi të mos përdorë masat disiplinore për të larguar deputetët nga punimet parlamentare.

“Mos përjashtoni këtu asnjë zë shqiptari në Kuvendin e Shqipërisë”, u shpreh Kapri.