Deputeti i Partisë “Mundësia”, Erald Kapri, hodhi akuza të forta ndaj mazhorancës gjatë fjalës së tij në Kuvend, duke e akuzuar për shkelje të Kushtetutës, mbrojtje të zyrtarëve të akuzuar për korrupsion dhe cenim të të drejtave të opozitës.

Në nisje të fjalës, Kapri u ndal te moslejimi i kryetarit të Partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, për të hyrë në sallën e Kuvendit, megjithëse, sipas tij, afati i masës disiplinore ndaj tij kishte përfunduar. Deputeti e cilësoi këtë veprim si një shkelje të rëndë të të drejtave parlamentare.

Duke iu referuar protestës së zhvilluar jashtë Parlamentit, Kapri tha se qytetarët kanë dalë në rrugë si shprehje e pakënaqësisë ndaj qeverisë, duke pretenduar se shumica ka humbur besimin e publikut.

Ai akuzoi mazhorancën se ka mbrojtur figura të larta të përfshira, sipas opozitës, në çështje korruptive, duke përmendur ish-zyrtarë dhe përfaqësues të Partisë Socialiste që, sipas tij, kanë pasur probleme me drejtësinë.

“Kjo që po ndodh në Kuvend është e papranueshme. Agron Shehaj ka përfunduar masën disiplinore dhe sërish nuk lejohet të ushtrojë mandatin e deputetit. Kjo përbën shkelje të Kushtetutës. Ndërkohë, qytetarët protestojnë sepse kanë humbur besimin te ju. Pas të gjitha aferave dhe mbrojtjes që u keni bërë zyrtarëve të akuzuar për korrupsion, njerëzit kanë dalë në rrugë për të kërkuar përgjegjësi”, u shpreh Kapri nga foltorja e Kuvendit.