Me dhjetëra qytetarë shqiptarë janë kthyer gjatë ditëve të fundit në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës. Pala greke u ka refuzuar hyrjen në Greqi, pasi veç garancisë u ka kërkuar që të kenë me vete deri në 5000 euro pavarësisht ditëve të qëndrimit.
Për shkak se vijnë nga qytete të ndryshme të Shqipërisë ka patur edhe nga ata të cilët qëndrojne prej ditësh në kufi me shpresën se do të gjendet një zgjidhje.
“Po kisha 300 euro me vete dhe na kthyen. Ne do të qëndronim një muaj në Greqi. Garancinë e ka bërë motra ime dhe atje më pret ajo”, thotë një udhëtar.
“Jemi këtu prej disa ditësh. Po presim që të kalojmë andej. Dikush na pret në Greqi, por pala greke na kërkon që të kemi shumë para me vete”, thotë një tjetër udhëtar.
Sipas të dhënave policia greke i ka justifikuar kthimet me argumentin se këta qytetarë shkojnë për të punuar në shtetin fqinjë, ndërsa pritet të zhvillohet edhe një takim mes autoriteteve të të dy vendeve për të gjetur një zgjidhje.
25 maj 2013 (gazeta-Shqip.com)