Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi inspektoi zyrat e Postës numër 5 në kryeqytet, e cila mban peshën si zyra kryesore postare e Tiranës, ku pranë sporteleve të saj ofrohen një numër i madh shërbimesh për qytetarët.
Së bashku me Administratorin e Postës Shqiptare, Etjen Xhafaj, ministri Karakaçi u njoh me ecurinë e punës pranë kësaj zyre postare, si dhe shërbimet që ajo ofron.
Pavarësisht zhvillimeve të ditëve të fundit, si dhe dhunimit të zyrave, puna ka vijuar normalisht duke ofruar shërbim për çdo qytetar që është paraqitur pranë sporteleve.
“Posta ka për momentin 61 shërbime, nga të cilat 19 janë postare, 42 janë shërbime financiare. Ne jemi duke shtuar edhe dy-tre shërbime të tjera, të cilat nuk i kemi pasur më përpara. Kemi shtuar shërbimin e shitjes të policave të sigurimeve, të cilat fillojnë tani. Shumë shpejt firmosim edhe kontratat me shpërndarjen e tregtisë elektronike, pra pakove që vijnë kryesisht nga Kina”, tha Xhafaj.
Kjo zyre postare ofron shërbim edhe gjatë fundjavës për të qenë sa më pranë qytetarëve.
Ministri Karakaçi duke shprehur mirënjohjen për punën e çdo punonjësi pranë kësaj zyre, pavarësisht situatave të ditëve të fundit, teksa theksoi se Posta Shqiptare është një ndër institucionet e konsoliduara që ofron një numër të madh shërbimesh për qytetarët.
“Vizita ime ishte për t’ju thënë të gjitha zonjave dhe grave që punojnë këtu, faleminderit për përkushtim që bëjnë çdo ditë të vitit, por edhe sigurisht edhe në një moment pak jo të këndshëm që e bënte pak më sfiduese. Posta Shqiptare hyn ndër ato institucionet më të konsoliduara dhe më të vjetra shqiptare. Është shumë e rëndësishme të jepet mesazhi që shërbimet vazhdojnë, nuk ndalohen. Patjetër që ne kemi qenë të hapur dhe vazhdojmë të jemi të hapur në çdo ditë edhe me oraret e përcaktuara. Jemi përsëri këtu për dhënien e të gjitha shërbimeve, marrjen e pensioneve, pagesave të faturave, pagesave të gjobave, apo çdo element tjetër”, u shpreh Karakaçi.
