Kukës, rritet bilanci i aksidenteve brenda javës, katër të vdekur e dhjetëra të plagosur
Zonat e nxehta
“Ura gjashtëmetroshe”
Si vend me shumë rrezik, specialistët e qarkullimit rrugor kanë llogaritur edhe më herët segmentin tek “Ura gjashtëmetroshe”
Tuneli i Kalimashit
Specialistët e policisë rrugore në Kukës pohojnë se zona pas daljes nga tuneli i Kalimashit në drejtim të Kukësit është shumë e rrezikshme
Rruga drejt Morinit
Autostrada Rrëshen-Kukës-Morin, sidomos pjesa nga Kolshi deri në Morin, është njëkohësisht edhe rrugë fshati, çka përbën tjetër rrezik
Aksidentet
“Rruga e Kombit” ka sjellë viktima të shumta në njerëz. Krahas dy aksidenteve të fundit, një autobus nga Kosova është rrëzuar duke sjellë dy viktima
Bilanci i aksidenteve të ndodhura në rrugët e Rajonit të Kukësit është relativisht i lartë edhe në stinën e verës. Vetëm brenda një jave, në tri aksidente gjetën vdekjen 4 persona dhe u plagosën dhjetë të tjerë. Aksidenti i fundit ndodhi gjatë paradites të së shtunës në segmentin Kukës-Morin, te vendi i quajtur “Ura gjashtëmetroshe” në afërsi të rrethrrotullimit, 4 km larg qytetit, ku mbetën të vdekur dy persona dhe u plagosën tre të tjerë. Viktimat e aksidentit janë Besnik Parllaku, 52 vjeç, dhe Osman Nela 34 vjeç, të dy nga Komuna Shishtavec i Rrethit të Kukësit. Shkaku i aksidentit, siç tregojnë të dhënat paraprake të policisë, ka qenë humbja e kontrollit të Parllakut që drejtonte një autoveturë ML, ku ka prerë trafikndarësen duke u përplasur me disa mjete të tjera në krahun e kundërt. Edhe viktima tjetër, Nela, ka qenë në timonin e një kamioni, i cili më pas është përmbysur, duke u plagosur shumë rëndë e që pas pak minutash ka vdekur në spital. Katër persona të tjerë të plagosur mjaft rëndë janë dërguar në spitalin e Kukësit, ku pasi kanë marrë ndihmën mjekësore ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur menjëherë policia rrugore, si edhe shërbimi zjarrfikës, pasi njëri prej automjeteve të përfshirë në aksident punonte me gaz dhe rrezikshmëria për të shpërthyer ka qenë e madhe. Mësohet gjithashtu se 52-vjeçari Parllaku vinte nga Shishtaveci, përkatësisht nga fshati i tij Novosej në drejtim të Kukësit, ndërkohë që dy automjetet e tjera kanë qenë duke udhëtuar drejt Morinit. Aksidenti i djeshëm është i treti brenda kësaj jave, ku vetëm tri ditë më parë humbën jetën dy persona dhe u plagosën gjashtë të tjerë.
Akset dhe vendet e rrezikshme
Si vend me shumë rrezik, specialistët e qarkullimit rrugor kanë llogaritur edhe më herët pikërisht segmentin tek “Ura gjashtëmetroshe”, rreth katër km larg qytetit të Kukësit, ku ndodhet një gjysmë rrethrrotullim për hyrje dhe dalje në autostradë, por që nuk është konceptuar funksional, duke bërë që mjetet të kalojnë nga njëri drejtim në tjetrin duke ndërprerë ndarësen e aksit. Aty në dy vitet e fundit kanë vdekur 8 persona, duke llogaritur aksidentin e së shtunës, janë aksidentuar shumë të tjerë dhe rreziku është i përditshëm.
Pak më tej, në drejtim të qytetit të Prizrenit, është Ura e Uzinës, e cila është me vetëm dy korsi, ashtu si urat e tjera deri në Morin dhe ku në dy vitet e fundit janë shënuar katër të vdekur. Në muajin nëntor të vitit të kaluar u aksidentua edhe një autobus i linjës së Kosovës, ku vdiqën dy persona. Viktimat e tjera kanë qenë një drejtues traktori nga Morini dhe një i ri nga Kukësi. Edhe pjesa tjetër e rrugës deri në Morin ka shënuar disa të vdekur e pikërisht në Morin një fëmijë me biçikletë, si dhe një burrë duke kaluar autostradën me kalë. Autostrada Rrëshen-Kukës-Morin, sidomos pjesa nga Kolshi deri në Morin është njëkohësisht edhe rrugë fshati, pasi nëpër të kalojnë të gjithë fshatrat dhe lagjet e fshatrave apo edhe kafshët e këtyre zonave. Nuk është një autostradë e mbyllur, si p.sh. pjesa e Kosovës e ndërtuar para më pak se një viti. Në të gjithë gjatësinë e kësaj pjese mungojnë plotësisht nënkalimet dhe mbikalimet pa folur për mungesën e sinjalistikës horizontale e vertikale.
Kthesat e forta
Autostrada e Kukësit në dy-tri vende paraqet një rrezik serioz, edhe për shkak të kthesave të forta. Veçanërisht për shoferët e papërvojë dhe që, ndoshta jo për faj të tyre, e mendojnë gabimisht se janë duke udhëtuar në një autostradë perëndimore, në të vërtetë nuk të del asgjë përpara. Ndryshon çështja tek autostrada e Kukësit që nga Miloti në Morin, e cila edhe pse në shumicën e gjatësisë së saj është me katër korsi funksionale, shërben edhe si rrugë fshati dhe dytësore për zetorë e karroca, si dhe në shumë segmente edhe për këmbësorët. Pa llogaritur ndërprerjet e rrugës ku shoferët që banojnë në fshat kanë prerë fashetat e çelikut që ndajnë drejtimet e autostradës dhe kalojnë nga njëri krah në tjetrin. Një inspektor i qarkullimit rrugor në Kukës ka pohuar për gazetën “Shqip” se një nga shkaqet e aksidenteve të panumërta është pikërisht fakti që menjëherë pas kthesës, gjithnjë në autostradë, të del një zetor apa një kamion me ngarkesë që ecën ngadalë, i cili po parakalohet nga një mjet gjithashtu jo shumë i shpejtë dhe vetëm një mrekulli mundet të shpëtojë njerëzit në mjetin që udhëton me 100 km në orë. Kështu ndodhi edhe dy net më parë në dalje të tunelit të Kalimashit, ku një mjet autoveturë iu fut poshtë një kamioni që ecte me ngadalë, ndërsa dy orë më vonë në të njëjtin vend, i ndodhur në rrethana të njëjta, një mjet tjetër, duke mos pasur nga t’ia mbante me atë shpejtësi të madhe që mund të ketë pasur, pasi të dyja korsitë i sheh papritur të zëna, i drejtohet bordurës ndarëse duke aksidentuar dy persona në një autoveturë tjetër. Sulejman Dida
Rrugët dhe zonat më të rrezikshme për aksidentet në Shqipëri
- Rruga në dalje të tunelit të Kalimashit
- Rruga Kukës-Morin, “Ura gjashtëmetroshe”
- Ura e Uzinës
Dibër
- Rruga Qafa e Buallit-Krastë (Martanesh), sidomos segmenti në kthesën e Luçanës
- Rruga Burrel-Klos
Shkodër
- Problematikë janë rrugët nacionale që lidhin Shkodrën me alpet
- Rruga Shkodër-Lezhë, kthesa e Beltojës
- 20 kthesat e rrugës Shkodër-Muriqan
Lezhë
- Rruga Fushë-Krujë – Lezhë, tek Ura e Tapizës dhe te kryqëzimi i Niklës
- Kryqëzimi i superstradës me “Rrugën e Kombit”
- Kryqëzimi i Shënkollit, Rillës, e deri te rrethrrotullimi në hyrje të Lezhës
Durrës
- Rruga e plazhit, nga segmentet Ura e Dajlanit-Plepa dhe Plepa-Rrogozhinë
- Rruga Maminas-Shën Pjetër
Tiranë
- Rrethrrotullimi i “Zogut të Zi”
- Kryqëzimi i Laprakës
- Rrethrrotullimi i Doganës
- Kilometrat e parë të rrugës Tiranë-Elbasan
- Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”
Elbasan
- Rruga Elbasan-Librazhd
- Rruga Elbasan-Rrogozhinë
- Rruga pranë Labinot-Fushë dhe rruga drejt Metalurgjikut janë tepër të rrezikshme
Korçë
- Unaza e Korçës
- Rruga Korçë-Bilisht
- Rruga Korçë-Pogradec, pranë fshatit Starovë
Berat
- Rruga pranë zonës së Gjashtëkatëshit
- Rruga Berat-Ura Vajgurore, mbikalimi i Otllakut
- Rruga Ura Vajgurore-Kuçovë, zona pra Meteorit
- Rruga Berat-Poliçan, pranë fshatit Vërtop
Fier dhe Lushnjë
- Rruga Rrogozhinë-Lushnjë, rrethrrotullimi i Çermës
- Rruga Lushnjë-Fier, rrethrrotullimi i Kolonjës
- Aksi Fier-Levan-Tepelenë
- Kthesat e Visokës të Rrethit të Mallakastrës
- Segmenti rrugor Fier-Berat
Gjirokastër
- Rruga Gjirokastër-Tepelenë, zona pranë parkut natyror të Viroit
- Rruga Kakavijë-Gjirokastër
- Problematike rrugët rurale, sidomos me fshatin Valare
Vlorë
- Rruga Skelë-Uji i Ftohtë
- Superstrada Levan-Vlorë
- Rrugët e lagjeve “Çole”, “11 Janarit” dhe tek ish-fabrika e çimentos
- Segmentet rrugore në vijat bregdetare Dhërmi e Himarë
- Qafa e Llogorasë
- Rruga e hyrjes për në qytetin e Sarandës
