Prej disa javësh tashmë, jo vetëm zona e Myzeqesë por edhe Tirana dhe qytete të tjera janë “pushtuar” nga karkaleci. Lidhur me fenomenin Rozafat Sopaj, drejtor i Shërbimeve në Bashkinë e Tiranës, tha se karkaleci nuk është shqetësues.

“Karkaleci nuk është një nga shqetësimet kryesore që ka bashkia e Tiranës pasi insektet janë masive në të gjithë kohën e vitit. Karkaleci ndër ta është ndër më të padëmshmit. Më shqetësim është mushkoja e miza si transmetues të viruseve sesa karkaleci. Është një karkalec migrator që ka përfshirë jo vetëm Tiranën por të gjithë Ballkanin. Nuk është shqetësues, nuk pickon. Nuk është i dëmshëm në masë as për bujqësinë. Nuk kemi çfarë i bëjmë se është migrator. Sepse karkaleci në habitatin e vet e ka në zonat bujqësore, por këtij lloj karkaleci i pëlqen drita. Por nuk është shqetësues, pavarësisht bezdisjes,”- tha Rozafat Sopaj.

Megjithatë ai premtoi në 15 ditëshin e muajit gusht, fenomeni i karkalencave nuk do të ekzistojë më.

“Ju siguroj që brenda muajit gusht, në 15 ditëshin e dytë të muajit gusht nuk do të dëgjoni më të flitet për karkaleca. Ju siguroj që produktet që përdorim ne për dezinsektim janë të certifikuara,”-tha Rozafat Sopaj, drejtor i Shërbimeve në Bashkinë e Tiranës

Sipas të dhënave, zonat më të infektuara nga karkaleci janë ajo e Divjakës dhe e Belshit, përkatësisht me një sipërfaqe prej 1000-1100HA ku dëmet më të mëdha janë bërë në sipërfaqet e mbjella me foragjere dhe shalqi. Rreth 10% e kësaj siperfaqeje totale, ka vatra të fazave larvare të ndryshme, nga stadi i parë deri në të katërtin.