
Risia
Rama: Reformim rrënjësor i shërbimit. Braho: Kemi nën kontroll të gjithë sistemin
Radhëve të gjata i erdhi fundi. Që prej datës 15 shkurt shpërndarja e kartës së shëndetit po bëhet në mënyrë elektronike, pa qenë e nevojshme për të qëndruar në pritje për orë të tëra në sportele, siç edhe ka funksionuar deri më tani. Tanimë karta e shëndetit mund të merret edhe vetëm nëpërmjet aplikimit me kartë identiteti, një tjetër procedurë e lehtësuar në shërbim të qytetarëve. Për të parë nga afër procesin e aplikimit për t’u pajisur me kartë shëndeti online, Kryeministri Edi Rama vizitoi dje Qendrën Shëndetësore numër 9 në Tiranë, ku theksoi se premtimi për të kaluar te shërbimi shëndetësor elektronik u bë realitet. “Për të çmontuar të gjithë atë barrë të tmerrshme që kishin dhe vazhdojnë të kenë në zona të ndryshme njerëzit dhe mjekët, duhet paralelisht me ndryshimet strukturore, edhe një reformim rrënjësor i formës së shërbimit dhe kalimi në shërbimin shëndetësor elektronik. Receta elektronike, nga njëra anë, Karta e Shëndetit e marrë elektronikisht, nga ana tjetër janë dy hapa, jo të gjitha, që sjellin një lehtësi shumë të madhe”, u shpreh kryeministri i vendit. Duke iu referuar procesit elektronik, thuhet se pas kryerjes së aplikimit, çdo qytetar hyn në portalin E-Albania dhe e printon vetë Kartën e Shëndetit, pa qenë nevoja të paraqitet në sportelet e Fondit të Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor. “Me përfundimin e recetës elektronike në gjithë Shqipërinë, pas realizimit me sukses në qytetin e Durrësit, bëhet e mundur që ne të kemi nën kontroll të gjithë sistemin, duke filluar që nga vizita te mjeku i familjes, pajisja me recetën elektronike, marrja e ilaçeve në farmaci”, tha drejtoresha e fondit të detyrueshëm të kujdesit shëndetësor, Vjollca Braho. Ajo theksoi se Karta e Shëndetit është një ndër hapat për modernizimin e shërbimit shëndetësor, pjesë e reformës së gjithanshme në shëndetësi. Sipas të dhënave nga FDSKSH-ja, shpërndarja e saj ka nisur në dhjetor të vitit 2014 dhe gjatë vitit të shkuar u shpërndanë rreth 692 500 karta, ndërsa nga janari i këtij viti deri më tani janë shpërndarë mbi 320 mijë Karta Shëndeti. Përdorimi i kësaj karte përbën një lehtësi edhe për mjekun e familjes. “Mjeku i familjes ka më shumë kohë të merret me qytetarin, sepse më parë ka pasur një librezë shëndeti dhe duhet të plotësonte edhe recetën, edhe librezën e shëndetit, pra, të njëjtën gjë e hidhte dy herë”, sqaroi zëvendësministri i Shëndetësisë, Klodian Rjepaj.