Detaje të reja janë zbuluar nga operacioni antidrogë i policisë italiane, i koduar “Sturl One”, i cili çoi në çmontimin e një organizate kriminale shqiptare të përfshirë në trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
Operacioni nisi në orët e para të mëngjesit të së martës, më 20 janar, dhe rezultoi me arrestimin e nëntë personave, tetë prej të cilëve shtetas shqiptarë dhe një italian. Sipas autoriteteve italiane, 15 persona të tjerë janë aktualisht nën hetim.
Urdhrat e paraburgimit u ekzekutuan nga Departamenti i Policisë së Reggio Emilia-s, me vendim të gjyqtarit të hetimeve paraprake në Bolonjë, pas kërkesës së Drejtorisë Antimafia të Distriktit. Tre nga të arrestuarit u lokalizuan në territorin italian.
Kontrollet dhe arrestimet po zhvillohen paralelisht në disa zona të Italisë, përfshirë Reggio Emilia, Bergamo, Brescia dhe Savona, si edhe në Francë, Spanjë dhe Shqipëri, falë bashkëpunimit të ngushtë mes autoriteteve policore ndërkombëtare dhe veçanërisht me Departamentin e Policisë Kriminale të Shqipërisë.
Operacioni “Sturl One” është vijim i hetimeve të mëparshme “Trexit 2019” dhe “Black Mamba”, të cilat kishin çuar më herët në 35 masa sigurie gjatë viteve 2021 dhe 2022. Hetimet e asaj kohe zbuluan ekzistencën e tre grupeve kriminale aktive në provincën e Reggio Emilia-s, përfshirë një grup me origjinë nga Afrika e Veriut, i njohur si “grupi Rubiera”, i përfshirë në shpërndarjen me pakicë të kokainës.
Dy grupet e tjera, të përbëra nga shtetas shqiptarë, kishin rol kyç në sigurimin e sasive të mëdha të kokainës, të destinuara për shpërndarje në rajonin Emilia-Romagna. Njëri prej tyre drejtohej nga një shtetas shqiptar rezident në Itali, i cili që prej vitit 2018 vepronte si ndërmjetës kryesor i furnizimit me drogë për rrjetin kriminal.
Sipas hetuesve, organizata kishte një strukturë të mirëorganizuar, me burime të konsiderueshme financiare dhe logjistike. Ajo ishte e aftë të importonte kokainë, hashash dhe marihuanë nga Amerika e Jugut, Evropa Veriore dhe Spanja, duke i fshehur ngarkesat në kamionë me produkte bujqësore, për t’i shpërndarë më pas në të gjithë Italinë përmes një rrjeti korrierësh.
Anëtarët e rrjetit komunikonin përmes platformës së enkriptuar SkyEcc, e instaluar në telefona me vlerë mijëra euro, duke besuar se bisedat e tyre ishin të sigurta. Kjo platformë u dekriptua nga autoritetet franceze në fund të vitit 2020, duke hapur rrugën për hetime të thelluara.
Në vitin 2022, Prokuroria e Bolonjës hapi një procedim të ri penal, duke analizuar mijëra mesazhe të SkyEcc të siguruara përmes një urdhri hetimor evropian. Hetimet konfirmuan rolet e secilit të dyshuar dhe zbuluan një komplot kriminal të mirëstrukturuar, duke çuar në 44 akuza penale.
Vetëm gjatë gjashtë muajve monitorim, autoritetet arritën të dokumentojnë trafikimin e mbi 200 kilogramëve kokainë dhe rreth një ton hashash e marihuanë, me fitime që kapnin miliona euro.
Operacioni u realizua nga Skuadra Fluturuese e Policisë së Reggio Emilia-s, nën koordinimin e Shërbimit Qendror të Operacioneve të Policisë Italiane dhe me mbështetjen e Interpol-it, duke përfshirë edhe Zyrën e Ekspertit të Sigurisë në Shqipëri
Karteli shqiptar tregtonte kokainë nga Amerika latine, në Spanjë dhe Francë! Si u fundosën nga përgjimet
