Fshati Bishan është përmbytur pas reshjeve të fundit, ku uji ka depërtuar në banesa deri në një metër thellësi. Gjatë natës, rruga kryesore që lidh fshatin me zonat përreth është bllokuar, duke izoluar katër fshatra.

Banorët e fshatit kanë raportuar se uji ka arritur më shumë se një metër në banesat e tyre. Një qytetar ka mbetur i bllokuar në shtëpi, pasi nuk mund të dalë nga niveli i lartë i ujit. Ai shprehet se: “Uji ka arritur në 1 m. Brenda në shtëpi uji hyri 10 pond, por e pastruam. S’kemi fjetur gjumë.”

Disa banorë janë të shqetësuar për bagëtitë e tyre, pasi uji ka përmbytur edhe ushqimet për to. Një tjetër qytetar tregon: “Për të kaluar rrugën përdor zetorin. Kam bagëti që i kam nxjerrë në fshat, por nuk kaloj dot. Nuk kam as ujë për të pirë. Nuk po pyes për dëmin në shtëpi, por për gjënë e gjallë.”

Një tjetër banor thekson se të gjitha tokat bujqësore të fshatit janë përmbytur dhe se shumë pula kanë ngordhur. Ai shton: “Uji vinte me sekonda. Dola menjëherë për të shpëtuar pulat. Nga shtëpia ime nuk kalon dot me mjet.”

Situata është mjaft e rëndë, dhe banorët po përballen me vështirësi të mëdha për të mbijetuar dhe për të shpëtuar bagëtitë dhe ushqimin e nevojshëm.