Policia e Lezhës po vijon hetimet për atentatin me dy viktima ndaj Kreshnik dhe Gentjana Mujecit, duke u fokusuar në të paktën dy automjete të përdorura nga autorët.

Sipas burimeve, njëra prej makinave është ngjyrë e zezë dhe tjetra gri, ndërsa modeli i tyre nuk bëhet publik për shkak të hetimeve në vijim. Dyshohet se në këto automjete ndodheshin katër persona, të cilët kanë ndjekur shënjestrën për disa kilometra.

Autorët kanë zgjedhur një zonë të ngushtë dhe pa kamera sigurie, ku njëra prej makinave i ka prerë rrugën mjetit tip “Audi Q7” që drejtohej nga 39-vjeçari. Më pas është hapur zjarr me breshëri, ndërsa në vendngjarje janë gjetur të paktën 40 gëzhoja.

Pas krimit, autorët nuk kanë ndryshuar drejtimin e lëvizjes, por janë larguar në drejtim të Torovicës, një zonë që ofron disa dalje strategjike drejt Velipojës, Shkodrës dhe Shëngjinit.

Hetimet paraprake e konsiderojnë si pistë kryesore atë të hakmarrjes, e lidhur me një ngjarje të ndodhur rreth 10 vite më parë, ku Kreshnik Mujeci ishte përmendur si një nga të dyshuarit për përfshirje në vrasjen e Genc Mhillajt në zonën e Malit të Jushit, në Shkodër.