Vijojnë veprimet hetimore për zbardhjen e rrethanave dhe përgjegjësive në lidhje me ngjarjen e djeshme, në rrugën e Dobravës, ku humbi jetën një punonjës i Sektorit të Shërbimeve të Bashkisë, dhe u dëmtuan 3 të tjerë.
Ndalohen për shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë, Drejtori i Drejtorisë së Turizmit, Shërbimeve Publike dhe Transportit dhe drejtuesi teknik i punimeve.
Në vijim të këtyre veprimeve të kryera në drejtimin e Prokurorisë, nga grupi i posaçëm hetimor i ngritur me qëllim sqarimin dhe dokumentimin e rrethanave dhe përgjegjësive të lidhura me rastin e ndodhur më datë 08.09.2026, rreth orës 10:00, në afërsi të fshatit Bujan, në rrugën e Dobravës, ku 4 punonjës të Sektorit të Shërbimeve të Bashkisë Tropojë ranë në kontakt me rrymën elektrike, shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë ndaluan për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, shtetasit:
-N. Gj., 36 vjeç, me detyrë Drejtor i Drejtorisë së Turizmit, Shërbimeve Publike dhe Transportit, dhe G. H., 60 vjeç, me detyrë Drejtues Teknik i punimeve, të dy banues në Bajram Curri.
Nga hetimet e deritanishme dyshohet se 4 punonjës të Sektorit të Shërbimeve të Bashkisë Tropojë, të cilët po mbanin një shtyllë për ndriçim, për ta vendosur në bazament, kanë humbur ekuilibrin dhe për pasojë shtylla ka prekur telat dhe e ka përcjellë rrymën te 4 shtetasit. Nga kjo ngjarje, humbi jetën shtetasi M. S. dhe u dëmtuan shtetasit A. D., I. D. dhe A. A., të cilët u transportuan për ndihmë mjekësore, jashtë rrezikut për jetën.
