Protesta
Tre adoleshentë murgj u vetëdogjën para rajonit të policisë
Ndërsa Partia Komuniste e Kinës niste Kongresin e vet, së paku katër njerëz i vunë flakën vetes në shenjë proteste në rajonin e Tibetit, njoftojnë grupet e të drejtave të njeriut. Tre murgj adoleshentë u vetëdogjën në rajonin Aba në krahinën Shinçuan, ku janë shënuar shumë raste vetëdjegiesh gjatë muajve të fundit. Një nga djemtë vdiq ndërsa dy u dërguan në spital, në gjendje të rëndë.
Në provincën Qinhai, një vajzë 23-vjeçare bëri aktin sublim.
Më shumë se 60 tibetianë i kanë vënë flakën vetes që nga viti 2011 në protestë ndaj sundimit të rajonit nga Pekini. Pekini thotë se tibetianët gëzojnë lirinë e fesë dhe akuzojnë udhëheqësin shpirtëror të Tibetit në ekzil, Dalai Lamën, për nxitjen e vetëdjegieve, akuzë që ai e mohon.
Kina deklaron se Tibeti ka qenë gjithmonë pjesë e territorit të saj, por në fakt, ky rajon ka pasur gjithmonë autonomi të gjerë. Pekini e pushtoi ushtarakisht Tibetin më 1950 dhe shtypi me gjakderdhje një kryengritje në vitin 1959. Udhëheqësi shpirtëror i Tibetit, Dalai Lama, u largua pas kësaj në Indi. Dalai Lama tashmë kërkon një zgjidhje të butë me Pekinin, duke kërkuar autonomi por jo pavarësi.
Tre djemtë i vunë flakën vetes para një rajoni policie. Njëri prej tyre ishte vetëm 15 vjeç dhe vdiq. Dy shokët e tij 16-vjeçarë nuk dihet se ku është. Vajza 23-vjeçare u identifikua nga Zëri i Amerikës. Ajo e kishte emrin Tamding Tso dhe ishte nëna e një fëmije pesëvjeçar.
Media ndërkombëtare nuk lejohet të vizitojë Tibetin dhe rrjedhimisht verifikimi i fakteve është i pamundur. Media kineze ka konfirmuar disa raste, por jo të gjitha. Më shumë se gjysma e atyre që i kanë vënë flakën vetes besohet se kanë vdekur. Javën e kaluar, shefja e OKB-së për të drejtat e njeriut, Navi Pillay, i bëri thirrje Kinës të zgjidhë rrënjët e problemit që ka shkaktuar valën e vetëdjegieve.