Ngjarja, tri ditë pas mitingut dhe premtimit të Topit se “do fitojmë në këtë qytet”


Vetëm tri ditë pas takimit të ish-presidentit Topi me mbështetësit e Frymës së Re Demokratike në Kavajë, është plagosur me armë zjarri në kushte të pashpjegueshme kryetari i degës së kësaj partie në këtë qytet. Policia ka thënë se plagosja e Fatbardh Belbës dyshohet se ka ardhur për hakmarrje ndaj tij, por dëshmitarët tregojnë për një debat mes tyre në një lokal, ndërkohë që prokuroria thotë se i dëmtuari nuk ka dashur të tregojë motivin e këtij krimi. Policia deklaroi zyrtarisht se ngjarja ka ndodhur dje paradite në qytetin e Kavajës, ku koordinatori Belba është qëlluar me pistoletë dhe ka marrë plagë në këmbë. “Komisariati i Policisë së Kavajës mori njoftim se në ambientet e një lokali në qendër të qytetit është plagosur me armë zjarri në pjesën e këmbës Fatbardh Belba, 45 vjeç. Nga hetimet e menjëhershme të kryera nga strukturat e hetimit të krimit është bërë identifikimi i autorit të dyshuar të kësaj ngjarje, i cili është Ilir Aga, 40 vjeç dhe po punohet për kapjen e tij. Paraprakisht dyshohet se ngjarja ka ndodhur për një konflikt të mëparshëm mes vëllait të personit të dëmtuar dhe vëllait të autorit, në vitin 1992”, deklaroi policia. Sipas të dhënave nga grupi hetimor, autori i plagosjes së vitit 1992 ka qenë punonjës policie dhe plagosja ka ardhur në një aksion policor. Por, dëshmitarët në vendin e ngjarjes së djeshme shpjegojnë se mes Fatbardh Belbës dhe Ilir Agës ka pasur një debat në momentin e krimit, që nuk ishte për motive hakmarrjeje. Ata shpjegojnë se ka të bëjë me një çështje biznesi, ndërkohë që prokuroria është shprehur se në momentin e marrjes në pyetje, kryetari i degës së FRD-së në Kavajë nuk ka pranuar të tregojë asgjë mbi motivin e krimit. Pas të dhënave të para, më e dyshimtë bëhet kjo ngjarje, edhe për faktin se vetëm tri ditë më parë, kryetari i kësaj force politike, Bamir Topi, pati një takim me elektoratin në Kavajë, ku deklaroi se forca që ai drejtonte do të ishte forca e parë në këtë qytet, duke sulmuar deputetin e përhershëm të këtij qyteti, Sali Berishën. Ai theksoi se Berisha nuk ka asnjë lidhje me qytetin dhe e ftoi atë që të përballet me qytetarët e Kavajës dhe premtimet e pambajtura.