Tashmë bëhet zyrtare; qeveria shqiptare ka hapur konkurrimin për të dhënë licencën e kazinove në qendër të Tiranës.


Akti i Autoritetit të Lojërave të Fatit është publikuar në Fletoren zyrtare dhe brenda 23 tetorit, në Tiranë do të jepet leja për një tjetër kazino në kryeqytet.


Sipas vendimit të qeverisë së 2 shtatorit, kazinotë lejohen në një hark që përfshinë qendrën e kryeqytetit dhe konkretisht: nga rruga e Barrikadave tek Urani Pano Rruga: “Dedë Gjon Luli”; Rruga: “Ibrahim Rrugova”; Bulevardi: “Zhan D’Ark”, Rruga: “Xhorxh W. Bush”.


Vendimi i qeverisë është firmosur nga zv.kryeministri Erion Braçe, mbështetet në ligjin e vitit 2015, i cili parashikon që lojërat e fatit të jenë të implementuara në hotelet me 5 yje, të cilët automatikisht marrin edhe licencën e kazinove.


Autoriteti i Lojërave të Fatit bën thirrje që të interesuarit të paraqesin dokumentet e kërkuara nga ligji e që afat kanë datën 22 tetor.


Shqyrtimi i dokumenteve do të bëhet të nesërmen, pra më 23 tetor në orën 09.00.


Qeveria e Edi Ramës mori një vendim drastik në vitin 2019 për të ndaluar të gjitha kazinotë dhe bastet sportive që çuan në një mbyllje totale të aktiviteteve, që shkaktoi edhe kundërshtimin e grupeve të interesit.


Ky moratorium, duket se ka mbaruar dhe po bëhet një hapje me pikatore dhe e kontrolluar, kryesisht në hotele të mëdha që kanë marrë njësimin 5 yje nga autoritetet.


Megjithatë, ky vendim i qeverisë ka shkaktuar përplasje edhe brenda grupeve të interesit, të cilat kanë akuzuar qeverinë se po përdor kritere selektive.


Debatet pritet të shtohen kur të jepet licenca në muajin e ardhshëm kur të merret vesh edhe emri i subjektit që do të ketë të drejtën të hapë kazino në zemër të Tiranës.


©Copyright Gazeta Shqip


Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.