Pas ngjarjes së rëndë që tronditi sistemin e drejtësisë, ku gjyqtari Astrit Kalaja u vra me armë zjarri brenda sallës së gjyqit në Gjykatën e Apelit në Tiranë, ka ardhur një reagim zyrtar edhe nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat.

Në një postim në faqen zyrtare, kjo gjykatë shpreh ngushëllimet për humbjen e kolegut të tyre dhe solidaritetin me familjen, bashkëpunëtorët dhe të gjithë sistemin gjyqësor. Gjykata e Beratit nënvizon se ngjarja e ndodhur është një sinjal alarmi për gjendjen e sigurisë në institucionet e drejtësisë dhe bën thirrje për marrjen e masave urgjente për të garantuar mbrojtjen e jetës së gjyqtarëve dhe pjesëmarrësve në proceset gjyqësore.

“Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat shpreh tronditjen e thellë për aktin kriminal ndaj vrasjes së gjyqtarit në krye të detyrës. Kjo tragjedi për sistemin e drejtimin e drejtësisë dikton nevojën e ngutshme për marrjen e masave për rritjen e sigurisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve të Republikës së Shqipërisë. Ky akt kriminal duhet të jetë një këmbanë alarmi për qeverinë e gjyqësorit dhe duhet ta frymëzojë për rritjen e ndërgjegjësimit ndaj sigurisë në sistemin gjyqësor.
Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat i shpreh ngushëllimet familjarëve, kolegëve dhe miqve të gjyqtarit”,thuhet në postimin e bërë nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat.