Në “Shqipëria Live” ka folur sot Pashko Pepniku, një prej banorëve të godinës që u kthye në “mollë sherri” e që i mori jetën edhe gjyqtarit Astrit Kalaja.
Pepniku deklaroi se ka 13 vite në gjyq, ndërkohë tregoi dhe si ka nisur konflikti. Ai tregon se në vitin 1996 i ka dhënë Gjon Shkambit, xhaxhait të autorit të vrasjes 4 milionë lekë për të blerë banesën.
Megjithatë, sipas tij, tashmë Gjon Shkambi pretendon se nuk e ka shitur ai banesën.
“Ndihemi të kërcënuar nga deklaratat që kemi parë. Kemi 13 vite në gjyq. Unë e kam blerë banesën në vitin ’96. Kam marrë dokumentin e bashkisë dhe deklaratën e likuidimit. Më pas në 2013, na erdhi një person tha ia kam blerë bashkisë dhe na erdhi përmbaruesi duke na thënë të dalim jashtë. Këtu nisi gjyqi. Unë kam aktin e marrëveshjes me bashkinë. Banesën ia kemi blerë Gjon Shkambit, i cili ia kishte blerë më parë një invalidi. Ma ka shitur me dokumentet që kërkoheshin në atë kohë. Pastaj Shkambi del me një deklaratë që thotë se nuk na e ka shitur.
Bashkia e Shkodrës ia ka shitur këtë prona më pas Gjon Shkambit pa dijeninë tonë, ish-kreybashkiaku Lorenc Luka e ka shitur këtë banesë. Certifikatën e pronësisë e ka Gjon Shkambi. Ndërkohë, 31 familje të tjera janë që i ka strehuar bashkia aty. Ndërkohë ne ia kemi blerë vetë Gjon Shkambit.
Gjon Shkambi më ka kërcënuar 1000 herë dhe unë e kam kërcënuar. Gjon Shkambit i kemi paguar 4 milionë lekë në vitin 1996. Unë kam vetëm dokumentin e shitjes dhe dokumentin e bashkisë.
Në 2006 kjo godinë ka qenë tokë-shtet. Në 2008 ka qenë në emër të fisit Shkambit, ndërsa në 2012 ka dalë përsëri në pronësi të shtetit. Bashkia i ka dhënë më pas certifikatën e pronësisë Gjon Shkambit. Ne sot kemi vendimin e bashkisë të vitit 1992 që na ka strehuar si ushtarakë dhe të persekutuar. Ne përmbaruesi vijon na kërcënon që të dalim jashtë pasi ka dalë vendimi gjyqësor.”- tha ai së bashku me bashkëshorten e tij.