Gjatë protestës së opozitës para Kryeministrisë, një anëtar i Forumit Rinor të Partisë Demokratike, Herakli Pina, foli hapur për sfidat brenda partisë dhe kritikoi mënyrën si po menaxhohen proceset e brendshme.
Pina u shpreh se pas zgjedhjeve lokale të vitit 2023 kishte pasur dyshime për angazhimin e tij politik, por vendosi të flasë publikisht përballë qeverisë. Ai theksoi se politika është për të një mision shpirtëror dhe se synon të adresojë problemet e brendshme të PD-së.
“Shkelmuan pa kuptim procesin që vetë e promovuam si shembull të demokracisë së brendshme, primaret, dhe u mori hak disa prej më të votuarve. PD po riciklon dhe nuk po rigjeneron breza,” tha Pina.
Ai kritikon gjithashtu imponimin e figurave të papëlqyera dhe mungesën e bashkëpunimit pas datës 11 maj, duke theksuar nevojën për baza të shëndosha dhe një dialog të hapur mes demokratëve.
Mesazhi i tij u prit me vëmendje nga pjesëmarrësit e protestës, ndërsa ai u zotua të vazhdojë angazhimin për përmirësimin e brendshëm të strukturave të partisë.
