Sot, në fillim të seancës parlamentare, deputeti Fatmir Mediu theksoi rëndësinë e trajtimit të çështjeve të sigurisë kombëtare në mënyrë kolegjiale dhe jo si ekskluzivitet i ministrisë apo i kryeministrit. Ai i bëri thirrje presidentit që të thërrasë urgjentisht Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe kërkoi mbështetje edhe nga kryetari i parlamentit për këtë nismë.

Mediu vuri në dukje situatën e tensionuar me Iranin, duke kujtuar se Shqipëria ka shkëputur marrëdhëniet diplomatike dhe se paralajmërimet e ambasadës nuk lidhen vetëm me qytetarët amerikanë, por edhe me qytetarët shqiptarë, duke shtuar se është gabim të mendohet se statusi si anëtar i NATO-s garanton mbrojtje për çdo situatë.

“Dua t’i kujtoj kryeministrit që çështjet e sigurisë kombëtare nuk janë ekskluzivitet as i ministrisë, as i kryeministrit. Është Këshilli i Sigurisë Kombëtare. Unë i kërkoj presidentit që të thërrasë urgjentisht Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Ju kërkoj edhe juve, zoti kryetar, që t’i kërkoni presidentit të thërrasë Këshillin e Sigurisë Kombëtare.

E para, Shqipëria ka një konflikt të hapur me Iranin; ka shkëputur marrëdhëniet diplomatike me Iranin. Edhe deklarata e djeshme e ambasadës nuk është vetëm një thirrje për qytetarët amerikanë, por edhe për shqiptarët. Është idioteske të mendohet se, duke qenë anëtar i NATO-s, jemi të garantuar për çdo gjë”, u shpreh Mediu.