Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një takim me Departamentin ‘Brain Gain dhe Ekselenca’, u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit që më 11 maj të votojnë në shumicë, më qëllim që të firmosin edhe rotacionin politik.

Lideri i opozitës gjithashtu u shpreh se Partia Demokratike ka një program të shkëlqyer, siç e konsideroi ai ‘shpëtimtar për Shqipërinë’.

“Do ta mbyll duke ju përgëzuar edhe njëherë e duke ju ftuar ju, anëtarëve të këtij departamenti, por të gjithë studentët, specialistët, intelektualët jashtë të jepni kontributin tuaj më të madh të mundshëm në ushtrimin e të drejtës kushtetuese të votës, të jepni kontributin tuaj më të madh të mundshëm në ushtrimin e të drejtës kushtetuese të votës të bashkëatdhetarëve tanë jashtë vendit.

Është e një rëndësie të jashtëzakonshme që nga 1 milionë e 500 mijë shqiptarë jashtë vendit me të drejtë vote, shumica e tyre të mund të votojnë.

Të firmosë me votën e tyre ndryshimin, rotacionin se e vërteta është që ‘ata thyhen dhe ne i mundim’ dhe ne kemi një program të shkëlqyer, kemi një program transformues, kemi një program shpëtimtar për Shqipërinë. Faleminderit!” tha Berisha.