Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, i pranishëm në Forumin e Paqes në Paris është pyetur se sa realist është integrimi në BE i Ballkanit Perëndimor pa ardhur më parë pajtimi rajonal. Në përgjigjen e tij Rama theksoi rëndësinë e paqes dhe bashkëpunimit mes fqinjëve.

“Jemi të patundur në bindjen tonë që jo vetëm paqja është më mirë se gjithçka tjetër, por që sa më i lumtur komshiu, aq më e lumtur shtëpia. Pra, komshi i lumtur, shtëpi e lumtur. Diçka që ma ka mësuar gjyshja ime. Kështu që mos u kujdes vetëm për veten, por mendo edhe për fqinjin. Dhe nëse po gëzon vetë, po feston, atëherë sigurohu që fqinji të mos jetë duke vdekur urie, sepse pastaj i gjithë ky gëzim shkon për dreq”,- tha Rama.

Duke folur për situatën në rajon, Rama vuri në dukje se Kosova është një shtet në të drejtën e vet, por jo për Serbinë.

“Ne kemi politika bashkëpunimi dhe dialogu me të gjithë në rajon. Natyrisht, kemi një problem me Serbinë, një problem të madh, që është Kosova, apo Kosovo, siç i thonë këtu. Kosova është një problem, sepse për ne është një shtet në të drejtën e vetë dhe jo vetëm për ne, por për shumicën e vendeve të BE-së. Për Serbinë e për ndonjë vend tjetër nuk është. Dhe ky është një problem i madh”, tha Rama.

Kryeministri i Shqipërisë theksoi se pavarësisht mosmarrëveshjeve, bashkëpunimi rajonal dhe liria e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave janë thelbësore për zhvillimin dhe integrimin evropian të rajonit.

“Por, ose do të vazhdonim të rrinim me kokën pas e të ndiznim pakënaqësi, të ndiznim tensione, të ndiznim energji negative dhe të dëmtonim veten, ekonominë tonë, të ardhmen tonë, sepse jemi tregje shumë të vogla, kemi nevojë të jemi të gjithë bashkë, ose alternativa tjetër ishte të thonim- Dëgjoni, nuk biem dakord për këtë, por kjo nuk mund të na parandalojë të punojmë së bashku për shumë gjëra që biem dakord. Biem dakord që njerëzit, qytetarët tanë, duhet të kenë lirinë e lëvizjes, që mallrat tona duhet të kenë lirinë e lëvizjes, e kështu me radhë.

Unë jam dakord me ju që bashkëpunimi rajonal nuk është alternativë, është e vetmja rrugë.  Për ne që duam të bëhemi dhe anëtarë të BE-së katër liritë e Evropë; lëvizja e mallrave, kapitalit, njerëzve dhe shërbimeve, të jenë njësoj edhe në rajonin tonë. Se s’mund të jemi evropianë në Evropë dhe ballkanas në Ballkan”, tha ai.