Prokuroria gjermane ka kërkuar pesë vjet e tetë muaj burg për një 26-vjeçar shqiptar, i cili dyshohet se në nëntor të vitit 2022 ishte i përfshirë në një grabitje veçanërisht të rëndë në pikën e pushimit Ville-West në Gjermani.

“Zinxhiri i provave rrethanore çon në përfundimin e detyrueshëm se ai bënte pjesë në treshen e autorëve që grabiti 111.670 euro nga bankomati”, argumentoi prokuroria.

Për të forcuar bazën e provave, autoritetet kanë sjellë me avion nga Shqipëria shoferin e automjetit të arratisjes. 48-vjeçari, është kushëri i të akuzuarit, i cili ishte dënuar për bashkëpunim në një grabitje dhe ishte dëbuar në Shqipëri për ta vuajtur dënimin atje.

Shoferi i automjetit të arratisjes ishte i vetmi i dyshuar që policia mundi të arrestonte pas një ndjekjeje në autostradën A1, pak pas grabitjes. Në Audi-n e fuqishëm me qira, ai shfrytëzoi një avantazh prej 50 sekondash për t’i lënë bashkëpunëtorët e tij në korsinë e emergjencës.

Treshja u arratis ndërsa 26-vjeçar u arrestua në Itali në janar të këtij viti. Hetuesit arritën në gjurmët e tij pasi në bagazhin e Audi-t u gjetën nga tre qafore të zeza në formë rrethi, doreza pune me shirita portokalli të dukshëm, kapele bejsbolli dhe bluza me kapuç në ngjyrë blu të çelët. Veshje të tilla kishte veshur treshja e grabitësve gjatë grabitjes në dyqanin e pikës së karburantit, e cila ishte regjistruar nga kamerat e sigurisë.

Mediat shkruajnë se kushëriri i 26-vjeçarit pretendoi se ishte dënuar padrejtësisht si shoferi i automjetit të arratisjes. Ai tha se kishte shtypur gazin kur policia donte të kontrollonte Audi-n e parkuar në një rrugë bujqësore pranë A1, në mënyrë që të mos lidhej me një rrjet trafikimi të paligjshëm të emigrantëve.

Ai kishte dashur vetëm t’i bënte një nder një italiani me emrin Davide, duke e çuar me makinë në një takim në parkimin e pikës së pushimit, ku ai do të takohej me një shofer kamioni që transporton shqiptarë ilegalisht drejt Anglisë.

Sipas tij, kompletet e veshjeve të gjetura më vonë në bagazhin e Audi-t ishin destinuar për emigrantët. Për Prokurorinë, ndër të tjera, si provë mjafton ADN-ja e të pandehurit e gjetur në njërën prej qaforeve. Avokati Alexander Dziomba e konsideron këtë provë shumë të dobët.

“ADN-ja është gjetur në një shall që duket si shallet në video. Klienti im mund të ketë pasur kontakt me të kur ka udhëtuar në Audi para veprës”, kundërshtoi ai.