Kryesocialisti Edi Rama në nisje të fushatës, ironizoi Partinë Demokratike dhe koalicionin “Aleanca për Shqipërinë Madhështore”.
Ai foli me superlativa kur tha se e djathta do të pësojë humbjen më të madhe, që nga viti 1997. Ndërsa sloganin e PD-së e quajti qesharak. Ai shkoi dhe më tej, duke bërë një deklaratë të fortë, teksa u shpreh se kush voton PD-në, është budalla.
“Këneta do marrë disfatën më të madhe që nga ’97. Do thonë na kanë bërë magji, i kishim në kuti, na i vodhën. Si mundet që një njeri normal shqiptar, që ka minimumin e respektit për veten e vet, të marrë seriozisht dhe t’i japë votën një force politike që e quan veten ‘Aleanca Madhështore’.
Dhe pastaj slogani thotë për Peqinin madhështor, për Mamurrasin madhështor. Këtë lloj fushate e bën vetëm një çmendinë. Aty ku njëri thotë jam Bonaparti, tjetri thotë Gjon Kastrioti. E kam me burrat, se gratë nuk do shkojnë atje, dhe hedhin votën në një kënetë kaq madhështore. A i ka vërtet Shqipëria kaq budallenj?”- tha Rama.


