Thellohet bilanci i viktimave. Asnjë grupim nuk ka marrë përsipër autorësinë e ngjarjeve
17 të vdekur dhe 45 të plagosur ka qenë bilanci i dy sulmeve të armatosura të kryera në qytetin Garissa, në Kenia. Sipas mediave lokale sulmet janë kryer në katedralen e qytetit dhe në kishën e kongregacionit “Africa Inland Indipendent Church” (Aic), kur besimtarët ishin mbledhur për meshën e së dielës. Mes viktimave raportohet të jenë edhe dy policë. Sipas deklaratës paraprake të policisë vendase, disa burra të armatosur dhe me maska, përpara se të hynin në kishën e kongregacionit Africa Inland Indipendent Church (Aic), kanë sulmuar dhe vrarë dy policë, që ishin në shërbim dhe u kanë marrë armët, me të cilat janë vrarë disa besimtarë që ndodheshin brenda. Më pas kanë hedhur disa granata, nga shpërthimi i të cilave kanë mbetur të vrarë disa persona dhe dhjetëra të tjera janë plagosur. Shefi i policisë lokale ka deklaruar se po zhvillohen hetime për zbardhjen e autorëve. Deri më tani askush nuk ka marrë përsipër autorësinë e atentateve, por autoritetet kanë dyshime se janë kryer nga grupimi Shabaab.
1 korrik 2012 (gazeta-Shqip.com)