Përplasje me CEZ


Tri familje nuk lejojnë punonjësit të riparojnë defektin: Na rrezikoi jetën e fëmijëve


Familjet kanë ndërtuar poshtë linjës së tensionit të lartë dhe kanë frikë nga përsëritja e defektit


Rreth 14 mijë banorë në zonat e Kallmetit dhe të Blinishtit në Lezhë kanë mbetur pa energji elektrike, për shkak të këputjes së një teli të shtyllave të tensionit të lartë, ndërkohë që riparimin nuk e lejojnë pronarët e disa banesave, që janë ndërtuar poshtë kësaj linje. Situata problematike vazhdon të mos gjejë zgjidhje prej gjashtë ditësh, duke lënë në terr 11 fshatra, ndërsa banorët shprehen se ky defekt mund të rishfaqet, duke rrezikuar jetën e tyre.


Sipas informacioneve në zonë mësohet se pronarët e tri shtëpive të ndërtuara poshtë linjës së tensionit të lartë kërkojnë zhvendosjen e saj, për shkak të rrezikshmërisë. Kablloja e këputur ka rënë mbi tarracën e shtëpisë së një prej këtyre pronarëve dhe ai i druhet një defekti të ngjashëm në të ardhmen dhe rrezikshmërisë për pjesëtarët e familjes së tij, ndaj kërkon që linja e ndërtuar dekada më parë të zhvendoset. Ai tregon se e ka ndërtuar shtëpinë pas ndërtimit të linjës së energjisë elektrike, pasi pritej që shtyllat të zhvendoseshin në një tjetër vend, meqë rrjeti ishte amortizuar. Me kauzën e tij janë bashkuar edhe dy familje të tjera, të cilat kanë ndërtuar shtëpi, poshtë kësaj linje. Nga ana tjetër, banorët e zonës, duke qenë të gjithë të krishterë, kërkojnë riparimin sa më të shpejtë të defektit, pasi rrezikojnë që edhe Krishtlindjet t’i kalojnë në errësirë.


Në këto kushte, specialistët e CEZ dhe OST kanë shkuar për të riparuar defektin, por nuk janë lejuar nga tri familjet, që kanë banesat në vendin ku ndodhi këputja e linjës së tensionit të lartë. Në këto kushte, në ditët kur temperaturat shënojnë vlera mjaft të ulëta, e gjithë zona qëndron në terr. Banorët, të revoltuar, thonë se është e papranueshme kjo situatë në prag të festave të fundvitit. Sipas tyre, edhe një vit më parë kanë qenë në këtë gjendje, edhe pse e gjithë zona është paguese e rregullt e faturave të energjisë elektrike edhe kur ato nuk janë reale. Po ashtu, bizneset e vogla të zonës kanë mbyllur aktivitetet, pasi nuk mund të përballojnë vënien në punë të makinerive me gjenerator, ndërsa dyqanet kanë hedhur gjithë furnizimet e bollshme që kishin marrë për festat e fundvitit. Tashmë 14 mijë banorët e dy komunave nuk dihet për sa kohë do të qëndrojnë në errësirë. A. B.


Këputet kabllo


Tiranë, disa zona gdhihen pa drita


Ndërprerje të energjisë elektrike ka pasur dje edhe në disa zona të Tiranës për shkak të këputjes së një kablloje gjatë punimeve të ndërmarrjes së ujësjellës kanalizimeve. Këputja e kabllos ka lënë pa energji disa zona në Tiranën e Re, ndërkohë që përfaqësuesit e CEZ nuk e kanë rregulluar këtë defekt. Banorët e zonës, të interesuar pranë kompanisë çeke për mungesën e energjisë elektrike janë njoftuar se dritat nuk do të kthehen deri në ditën e sotme, pasi punonjësit e CEZ nuk kanë mundësi ndërhyrjeje. Në këto kushte, temperaturave të ulëta, shumë banorë, mbrëmë u është shtuar edhe mungesa e energjisë elektrike, që ende nuk është rikthyer në zonë.