Në seancën maratonë të Kuvendit, diskutimet për buxhetin e vitit 2026 vijuan me kritikat e deputetit Fatmir Xhafaj ndaj qeverisjes. Xhafaj vuri në dukje se nuk mjafton vetëm të rriten fondet buxhetore, por ato duhet të shpenzohen me eficencë, për të garantuar zhvillim, kujdes social dhe vende pune.
Xhafaj theksoi se një pjesë e fondeve nuk realizohet, duke nxjerrë në pah problematikat e administrimit të tyre nga institucionet dhe agjencitë përkatëse. Ai shtoi se kjo mund të lidhet me menaxhimin e institucioneve, aftësitë e drejtuesve dhe motivimin e stafit, duke ndikuar në mënyrën se si shpenzohen dhe prokurohen fondet.
Deputeti kërkoi më shumë dialog dhe koordinim mes palëve për të adresuar këto problematika dhe për të siguruar që buxheti të shfrytëzohet në mënyrë efektive dhe të drejtë.
“Në qendër të çdo buxheti nuk është shifra, por rezultati. Prandaj, nuk mjafton të rrisim fondet; duhet t’i shpenzojmë drejt, me eficencë. Keqardhje kur sheh që një pjesë e mirë e fondeve buxhetore nuk realizohen. Kjo do të thotë më pak zhvillim, më pak kujdes social me pak vende pune.
Pse ndodh kjo? Disa thonë që lidhet me drejtësinë e re dhe kryesisht me institucionet e drejtesise penale. Mund të jetë kështu, por askush nuk thotë çfarë konkretisht.
Mund të ketë dhe unë besoj se ka diçka, ndaj në seancat e mëparshme kam ngritur shqetësimin dhe kam kërkuar që të tregohet kujdes me penalizimin e administratës dhe biznesit në këtë vend, për një kulturë e qasje tjetër nga strukturat e drejtësisë penale në këtë aspekt. Kjo kërkon të ulen palët në tavolinë per dialog dhe të shohin se cilat janë reflektimet që duhen bërë.
Po përtej asaj çfarë ka racionale në këtë histori, personalisht besoj se në jo pak raste kjo është një alibi mbas së cilës fshihet një problematikë tjetër me vetë institucionet e agjencitë që merren me administrimin e fondeve buxhetore. Nisur dhe nga raportimet e bëra në komision rezulton se një pjesë e kanë realizuar mbi 90% buxhetin e përcaktuar për investime, por edhe për mallra e shërbime. Atëherë si shpjegohet që disa e realizojnë e disa jo buxhetin e akorduar në vitin përkatës buxhetor?
Si shpjegohet që disa i realizojnë prokurimet në fondin limit 99% dhe disa arrijnë të kursejnë deri në 20% të fondit të prokuruar? Besoj se ka disa faktorë që ndikojnë në këtë realitet.
Ndër të tjera kjo lidhet me drejtimin e institucioneve, me aftësitë menaxhuese të drejtuesve dhe sidomos me aftësinë për të zgjedhur njerëzit e përshtatshëm në këto procese, me motivimin dhe mbështetjen e tyre për të punuar të qetë dhe në liri të zbatojnë drejt ligjin dhe përgjegjësitë përkatëse,” tha Xhafaj.
