Policia ka dhënë informacionin e parë zyrtar për ngjarjen e raportuar në një resort në Vlorë, ku pronari i hotelit, Vasil Bedinaj, deklaroi se ishte përfshirë në një konflikt me persona të armatosur, të cilët dyshohet se i kishin kërkuar 5 milionë euro.

Sipas Policisë, ngjarja është raportuar rreth orës 11:30. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet policore kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe kanë ngritur pika kontrolli në zonë.

Gjatë kontrolleve pranë Pusit të Mezinit, efektivët kanë konstatuar një automjet që lëvizte me shpejtësi dhe janë vënë në ndjekje të tij.

Automjeti ka dalë nga kontrolli dhe është aksidentuar. Brenda tij ndodheshin tre persona, dy prej të cilëve kanë mbetur të dëmtuar si pasojë e aksidentit, ndërsa personi i tretë nuk ka pësuar dëmtime.

Gjatë kontrollit të automjetit, policia ka gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri, tip pistoletë.

Njoftimi i policisë:

Vlorë/Informacion paraprak

Rreth orës 11:30, pronari i një resorti në Vlorë ka njoftuar Policinë se persona të armatosur po konfliktoheshin me të.

Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në drejtim të adresës së dhënë, si dhe kanë ngritur pika kontrolli.

Shërbimet e Policisë, në afërsi të Pusit të Mezinit, kanë konstatuar një automjet që lëvizte me shpejtësi dhe janë vënë në ndjekje të tij.

Drejtuesi i këtij automjeti ka humbur kontrollin dhe është aksidentuar. Në automjet janë konstatuar 3 shtetas, 2 prej të cilëve janë dëmtuar si pasojë e aksidentit, ndërsa tjetri nuk ka probleme shëndetësore.

Gjatë kontrollit në automjet, shërbimet e Policisë kanë gjetur 1 armë zjarri, pistoletë.

Është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e dinamikës së ngjarjes dhe identifikimin e të gjithë shtetasve të përfshirë.

Shërbimet e Policisë së DVP Vlorë, në bashkëpunim me shërbimet e disa DVP-ve të tjera, po kryejnë kontrolle dhe veprime të tjera, me qëllim identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.

Meqenëse veprimet janë dinamike, në përfundim të veprimeve të para hetimore do të ketë një njoftim të plotë për ngjarjen.