Lulzim Maja, 43 vjeç, kushëri i dy personave që u dhunuan nga fisi Rraja ka bërë kallëzim në polici se ka marrë mesazhe me përmbajtje kërcënuese nga një llogari e panjohur.

“Me datë 10.07.2023, është paraqitur pranë Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike në DVP Tiranë shtetasi L. M., 43 vjeç, banues në Borizanë, Krujë, i cili ka kallëzuar se në llogarinë e profilit të tij në Facebook ka marrë disa mesazhe me përmbajtje kërcënuese, nga një llogari e panjohur”, bën me dije policia.

Pas kallëzimit të marrë nga 43-vjeçari, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike kanë referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprat penale “Kanosja” dhe “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, për veprime të mëtejshme procedurale.

Nga ana tjetër, prokuroria e kryeqytetit po kryen hetimet mbi kallëzimet e kryera që në maj nga banorët e Borizanës për shkatërrim prone, pasi shtëpitë e tyre kanë pësuar krisje nga shpërthimi i minave në gurore. Pikërisht për këtë mosmarrëveshje të adresuar autoriteteve muaj më parë ndodhi dhe konflikti në një lokal paraditen e 6 korrikut.