Grupi Parlamentar i Partia Demokratike e Shqipërisë ka kërkuar përjashtimin 60-ditor nga Parlamenti të kreut të Grupit Parlamentar të Partia Socialiste e Shqipërisë, Taulant Balla.

Në dokumentin e dorëzuar tek Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën, deputetët demokratë argumentojnë se kreu i PS-së ka fyer dhe kërcënuar në mënyrë të vazhdueshme deputetet gra të PD-së.

Nga ana tjetër, Partia Socialiste e Shqipërisë ka depozituar kërkesat për shqyrtimin e masave disiplinore ndaj deputetëve demokratë Flamur Noka, Elda Hoti dhe Albana Vokshi, pas incidentit gjatë seancës së djeshme në Kuvend.

Sipas kërkesës së PS-së, Flamur Noka propozohet për përjashtim 60-ditor nga Kuvendi, ndërsa për Elda Hotin dhe Albana Vokshin parashikohet përjashtim 30-ditor secila.

Sekretariati i Etikës pritet të shqyrtojë këto kërkesa dhe të vendosë masat disiplinore në ditët në vijim.

Çfarë ndodhi në seancë?

Në datën 02.04.2026, ora 10:00 është zhvilluar seanca plenare e Kuvendit të Shqipërisë. Ndërkohë që deputetja Elda Hoti kërkonte nga deputetja Bora Muzhaqi që të ndërpriste fjalën, pasi ishte rradha e saj për të folur e mohuar padrejtësisht nga kryetari i Kuvendit Niko Peleshi, kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, deputeti Taulant Balla është ngritur në këmbë dhe i është drejtuar me disa shprehje fyese dhe kërcënuese deputetes Hoti. Kjo gjuhë fyese, ofenduese, diskriminuese dhe kërcënuese ka sjellë reagimin e menjëhershëm të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, i cili ka kërkuar nga kryetari i Kuvendit Niko Peleshi të marrë masën disiplinore të përjashtimit nga seanca plenare ndaj deputetit Taulant Balla. Në kushtet e refuzimit për marrjen e masës disiplinore, seanca është ndërprerë dy herë dhe më pas është kaluar në votimin e projektligjeve pa diskutim, në shkelje flagrante të lirisë së shprehjes të deputetëve të regjistruar për të folur, të garantuar nga Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit. Po gjatë të njëjtës seancë deputeti Taulant Balla, ka përdorur gjuhë jo parlamentare dhe që cënon dinjitetin ndaj deputetit Fatmir Mediu. Ai arriti deri aty sa në përfundim të fjalës ju drejtua me fjalët “ik pirdhu”, në seancë plenare.

Duke u kthyer në rastin konkret, rezulton se kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, deputeti Taulant Balla ka përdorur gjuhë fyese, ofenduese, diskriminuese dhe kërcënuese, tërësisht të papranueshme në drejtim të Sekretares së Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, deputetes Elda Hoti, duke cënuar rëndë dinjitetin dhe sigurinë e saj fizike. Kjo gjuhë fyese dhe kërcënuese dëmton rëndë reputacionin dhe besimin e qytetarëve tek Kuvendi dhe deputetët, si dhe përhap mesazhin e normalizimit të njjë gjuhe të tillë ndaj vajzave dhe grave.

Kjo sjellje e deputetit Balla është e përsëritur, pasi po i njëjti në seancën plenare të datës 05.03.2026, përdori gjuhë fyese dhe seksiste ndaj deputetes Albana Vokshi, duke iu drejtuar: “Thamë t’ju pyesim ju njëherë,po s’kishim kohë. Realisht, realisht, realisht, realisht nuk kishim një numër telefonin tuajin që t’ju merrnim në telefon dhe t’ju thonim ore si mendoni ju për këtë. Po, 0900 se për ty kam këtë numrin, për ty Albana padyshim.”.

Të përjashtohet me 60 ditë

Në këtë kuptim, kjo kërkesë synon që nëpërmjet ndëshkimit disiplinor të deputetit Taulant Balla të parandalojë përsëritjen e rasteve të ngjashme në të ardhmen nga vetë recidivisti Balla apo edhe kolegë të tjerë deputetë që nuk respektojnë as normat më minimale të etikës në raport me koleget vajza dhe gra, deputete të Kuvendit të Shqipërisë. Prandaj, duke pasur parasysh sa më sipër, në mbështetje të neneve 62, 63, 65/1 dhe 65/2 të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, dhe neneve 3, 5, dhe 6 të Kodit të Sjelljes së Deputetit, kërkojmë marrjen e menjëhershme të masës disiplinore “Përjashtim nga pjesëmarrja në komisione dhe në seancë plenare 60 ditë” ndaj deputetit Taulant Balla.

Kërkesa është firmosur nga 7 deputetë demokratë,  me në krye kreun e grupit parlamentar të PD-së

Deputetët që firmosën
Gazment Bardhi
Klodiana Çapja,
Klevis Balliu,
Ina Zhupa,
Xhelal Mziu,
Kliti Hoti
Fatmir Mediu.