Kapet dhe vihet në pranga pas dy ditësh autori i grabitjes së një institucioni financiar në Shkodër. 27-vjeçari Gjionat Kola hyri brenda ambienteve të institucionit dhe duke kërcënuar punonjësit me çekiç arriti që të merrte 143.500 lekë.
Ngjarja ndodhi më datë 24.01.2026, në lagjen “Vojo Kushi”, teksa ndaj tij rëndon akuza e vjedhjes me dhunë.
Njoftimi i policisë:
Identifikohet, kapet dhe vihet në pranga 27-vjeçari që vodhi një shumë parash në një institucion financiar, duke kanosur punonjësit, me mjet të fortë (çekiç), 2 ditë më parë. Si rezultat i hetimeve të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër, në drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, u identifikua dhe u arrestua shtetasi: -Gj. K., 27 vjeç, banues në Shkodër.
Ky shtetas dyshohet se më datë 24.01.2026, në lagjen “Vojo Kushi”, ka hyrë në ambientet e një institucioni financiar dhe duke kanosur punonjësit, me mjet të fortë (çekiç), ka vjedhur 143 500 lekë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”.


