Një 30-vjeçar është arrestuar pasi akuzohet për kërcënimin e punonjësve me mjet prerës dhe vjedhjen e xhirove ditore nga dyqane dhe kompani telefonike. Gjatë arrestimit, policia ka sekuestruar paratë e vjedhura, mjetin prerës dhe celularin e tij.
Hetimet kanë zbuluar se i arrestuari kishte përdorur të njëjtën metodë në dy vjedhje të tjera gjatë dhjetorit 2025. Aktualisht, po vazhdojnë hetimet për të zbardhur edhe vjedhje të tjera të mundshme që mund të jenë kryer nga i njëjti individ.
Njoftimi:
Tiranë/Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 4, operacioni i koduar “Metoda”, për zbardhjen e 3 vjedhjeve me mjet prerës.
Duke kanosur me mjet prerës (thikë), punonjëset, vodhi xhirot ditore, në 3 subjekte (2 njësi të një kompanie telefonike dhe 1 dyqan), kapet pak orë pas kryerjes së vjedhjes së mbrëmshëm, 30-vjeçari.
Sekuestrohen shuma e parave të vjedhura, mjeti prerës dhe celulari i të arrestuarit.
Menjëherë pas kallëzimit të punonjëses në një njësi të një kompanie telefonike, në Rrugën e Dibrës, se mbrëmë, 1 shtetas kishte vjedhur xhiron ditore, pasi e kishte kanosur me mjet prerës (thikë), shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 organizuan punën për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, autorin.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe operacionale, të kryera në kuadër të operacionit “Metoda”, u kap pak orë pas kryerjes së këtij krimi, autori i dyshuar, shtetasi I. B., 30 vjeç, banues në Tiranë, të cilit iu gjetën me vete, shuma e parave të vjedhura dhe mjeti prerës.
Nga verifikimet e mëtejshme dyshohet se ky shtetas, me të njëjtën metodë, kishte vjedhur xhirot ditore, në 2 subjekte, gjatë muajit dhjetor, 2025.
Punohet për zbardhjen e vjedhjeve e tjera që mund të ketë kryer ky shtetas.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
