Elona Bregu, 40-vjeçarja që hipi në kullën e oksigjenit të ish-Uzinës së Kuçovës duke kërcënuar me flijim pasi e kishin hequr nga puna ka rrëfyer pas takimit në bashki se ishte gjetur një zgjidhje.
Pa dhënë detaje për diskutimet brenda institucionit, ajo tha se arsyeja e vetme pse u hoq nga puna ishte se kërkoi rrogën bashkë me koleget.
“E gjetëm zgjidhjen. Se kështu çfarë të bëjmë ne, ata të kompanisë na hoqën nga puna, ne u ngjitëm lart. Kështu do ta zgjidhim ne se vend tjetër nuk e zgjidh. Bëhet fjalë për 380 mijë lekë, atë kam unë, me një gocë të sëmurë, atë kam. Pse duhet të më heqin nga puna, çfarë bëra, asgjë nuk bëra!”– tha ajo pasi doli nga institucioni.
Elona Bregu ka hipur sot në mënyrë demonstrative në majë të kullës së oksigjenit tek ish-Uzina e Kuçovës, duke tentuar të hidhet e t’i japë fund jetës. Punonjëset e tjera të shkarkuara gjithashtu, treguan edhe arsyet e kësaj proteste të pazakontë.
“Nuk ja ka dhënë rrogën, e ka pushuar nga puna. Tre veta, të tre ne. Ka hequr edhe të tjerë, para katër muajsh janë hequr edhe 4 të tjerë. Na kanë hequr nga puna pse kemi vajtur në Bashki. Ne as kemi sharë dhe as ofenduar atje”, tregojnë dy nga punonjëset, gjithashtu të pushuara nga puna.



