Një incident i pazakontë është shënuar në Krastë të Krujës, ku punonjësit e zjarrfikëses janë përballur me të shtëna armësh ndërsa po punonin për shuarjen e një prej vatrave të zjarrit.
Sipas të dhënave paraprake, një person ende i paidentifikuar ka qëlluar dy herë me armë në drejtim të zonës ku ndodheshin zjarrfikësit, duke u kërkuar atyre të ndërprisnin ndërhyrjen dhe të largoheshin.
Pas të shtënave, personi është larguar nga vendngjarja. Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar.
Punonjësit e shërbimit zjarrfikës kanë njoftuar Policinë e Shtetit për incidentin, ndërsa më pas kanë vijuar operacionin për shuarjen e flakëve.
Policia ka nisur verifikimet për identifikimin e personit që qëlloi me armë dhe për zbardhjen e rrethanave të incidentit. Hetuesit pritet të mbledhin dëshmi dhe prova në terren për të përcaktuar motivin e këtij veprimi.
