Një konflikt i çastit mes tre të rinjve ka degraduar në përdorimin e armës në Çorovodë të Skraparit ditën e sotme.
Për shkak të një zënke me motive të dobëta dy 19-vjeçarë kanë qëlluar me armë zjarri në makinën e një bashkëmoshatari të tyre. Por fatmirësisht plumbat nuk kanë kapur të riun, i cili ka shpëtuar, por vetëm makinën.
Pas të shtënave dy të rinjtë Anxhelo Gërmenji dhe Faredin Çela, janë shpallur në kërkim ndërsa deri më tani dihet se pas sherrit, ata janë larguar drejt një zone të pyllëzuar dhe janë zhdukur në brendësi të pyllit.
Njoftimi i policisë:
Skrapar Qëlluan me armë zjarri pas një konflikti, braktisën automjetin gjatë ndjekjes nga Policia dhe u larguan në një zonë të pyllëzuar, identifikohen dhe shpallen në kërkim dy 19-vjeçarë. Në Çorovodë, dyshohet se pas një konflikti të çastit, për motive të dobëta, shtetasi A. G., 19 vjeç në bashkëpunim me shtetasin F. Ç., 19 vjeç, kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit të shtetasit I. D., 19 vjeç, i cili në momentin e qëllimit, ishte jashtë automjetit. Nga të shtënat nuk ka asnjë shtetas të dëmtuar.
Falë reagimit të shpejtë të Policisë, u bë i mundur identifikimi i autorëve të këtij rasti, të cilët kur kanë konstatuar se po ndiqeshin nga shërbimet e Policisë, kanë braktisur automjetin dhe janë larguar në një zonë të pyllëzuar. Shërbimet e Policisë vijojnë ende ndjekjen e tyre dhe kontrollin e zonës, me qëllim kapjen e tyre. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti.