Kryeparlamentari Niko Peleshi refuzoi kërkesën për interpelancë urgjente të Gazment Bardhit me kryeministrin Edi Rama për 5 kërkesat e paraqitura prej protestuesve. Peleshi tha se çështjet kanë natyrë legjislative dhe jo me kërkim shpjegimesh.
“Shumica e çështjeve të ngritura ka natyrë legjislative pasi lidhen me ndryshimin ose shfuqizimin e akteve në fuqi dhe jo me kërkimin e shpjegimeve për veprimtari konkrete të Këshillit të Ministrave. Kërkesa nuk pranon një objekt të veçantë dhe të pavarur që të justifikojë zhvillimin e një interpelance urgjente. Kërkesa nuk pranohet”, tha Peleshi.
Ndërsa Gazment Bardhi u shpreh se prej një viti, Parlamenti nuk ka pranuar asnjë kërkesë për interpelancë me kryeministrin, që opozita ka bërë.
“Ka një vit Parlamenti dhe s’ka pranuar asnjë kërkesë. Nuk është pranuar asnjë kërkesë për interpelancë me deputetët e opozitës. I sigurt jam dhe jam i bindur që ju ka thënë, edhe pse ju e mohoni, ua tha shqiptarëve para gjithë botës, duke turpëruar Shqipërinë në median ndërkombëtare. Edi Rama e di që s’mund të flasë në publik për krimet e tij shtetërore. Besoj që e ka menduar realisht dorëheqjen, por s’mund ta japë sepse nuk është më njeri i lirë, është peng i interesave që ka ushqyer për 13 vite. Nuk e lejojnë të largohet se ka ende borxhe për të shlyer, duke shitur copa të Shqipërisë, duke ndryshuar ligjet, duke i vënë interesat e tyre mbi interesat e shqiptarëve. Është ky sistem të cilin shqiptarët protestojnë në shesh, nuk protestojnë më për flamurin, por për ndryshimin e ligjit. Ndaj kërkesat e protestuesve s’janë të rastësishme, janë kërkesa që PD dhe opozita i kanë ngritur prej kohësh. Besoj se e kemi të qartë që Rama nuk guxon të vijë në këtë sallë”– tha Bardhi.
