Roland Dedja, 40-vjeçari i kërkuar në vendin tonë për vrasje, është gjetur i vdekur në Bolivi.
Mësohet se Dedja, i cili një vit më parë u arratis nga burgu në Itali, u gjet i vdekur në një banesë të marrë me qira bashkë me një shok në zonën veriore të Santa Cruz. Paraprakisht, raportohet se ai ka humbur jetën si pasojë e një ataku kardiak.
Në 25 shtator 2023, ai u arratis nga burgu i Teramos në Abruzo, i ndihmuar nga një dron i jashtëm, i cili transportoi mjetet e nevojshme që u përdorën më pas nga 40-vjecari për të prerë kangjellat dhe për të zbritur me litar.
Dedja në momentin e arratisjes, ishte në pritje te gjykimit për drogë dhe për grabitje pas arrestimit në Martinsicuro. Ai më parë ishte akuzuar edhe për vrasjen e shqiptarit Shpëtim Cupa në Brescia, Itali. Në shkallë të parë ai kishte marrë pafajësi, por cështja më pas u apelua.
Sipas autoriteteve boliviane, Roland Dedja ka hyrë në Bolivi në nëntor 2023 përmes Desaguadero. Ai mori me qira një shtëpi në zonën veriore të Los Tusequis dhe dihet se, në momentin e vdekjes së tij, ai jetonte me një mik bolivian që po ndiqej penalisht për mashtrime.
Sipas hetimeve të Prokurorisë dhe Policisë, shoqëruesi i tij është zhdukur që nga dita e vdekjes së Dedjas. Rasti është raportuar në Interpol, por ende janë duke u kryer disa hetime.




