Franca dhe Britania besojnë se embargo e armëve po dëmton vetëm opozitën


armet ne siriBashkimi Europian filloi të diskutojë mundësinë e heqjes së embargos që ka vendosur për furnizimin me armë të Sirisë, një masë që mund të lejojë armatosjen e rebelëve, ndërkohë që Siria përkujtoi dje dyvjetorin e fillimit të kryengritjes së përgjakshme.


Kryeministri i Britanisë, David Cameron, tha se ai dhe Presidenti i Francës po e ngrenë çështjen në kuadër të Bashkimit Europian dhe deri tani janë përballur me “mirëkuptim” mbi faktin se gjendja aktuale nuk funksionon.


Bashkimi Europian vendosi embargo në fillim të kryengritjes, por qeveria e Sirisë vijon të furnizohet me armë ndërsa Rusia dhe Kina kanë bllokuar tentativat për të vendosur një embargo në kuadër të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Vlerësohet se mbi 70 mijë vetë janë vrarë gjatë dy viteve të fundit dhe lufta duket e pafund. Së fundmi, burimet e informacionit në Perëndim kanë mësuar se Irani ka shtuar furnizimin me armë për qeverinë e Asad përmes lëvizjes Hezbollah. Disa informacione tregojnë se Irani dhe Hezbollah kanë krijuar një forcë ushtarake prej 50 mijë njerëzish në ndihmë të Asad.


Ndërkohë në Europë ka disa vende si Gjermania dhe Suedia, të cilat mendojnë se heqja e embargos mund të shtojë vuajtjet e popullit të Sirisë në vend që ta përshpejtojë rënien e Asad. Por Britania ka deklaruar se është e gatshme të vendosë veton për të mos e rinovuar embargon aktuale në maj të këtij viti. Britania mendon se konflikti po kthehet në një luftë llogoresh, e pamundur për t’u zgjidhur përmes armëve dhe as me ndërmjetësim diplomatik.


Në Siri aktualisht nuk ka mungesë armatimesh, por disa ekspertë mendojnë se sisteme të sofistikuara antitanke dhe antiajrore mund të ndihmojnë opozitën të përmbysë situatën.


Dy ditë më parë, Presidenti Hollande i Francës tha se vendi i tij    ishte i gatshëm të ndihmojë rebelët. “Ne nuk mund të lejojmë masakrimin e një populli nga një regjim që nuk dëshiron tranzicion politik”, – tha ai.


Parisi dhe Londra mendojnë se për shkak se armatimet po i dërgohen Asadit dhe OKB duket e bllokuar dhe e paaftë për të vepruar, armatosja e rebelëve është e vetmja mënyrë për të rritur presionin mbi qeverinë e Sirisë. Bashkimi Europian do ta diskutojë mundësinë e heqjes së embargos më 22-23 mars.


Ndërkohë, agjencitë e ndihmave thonë se një vendim për të armatosur rebelët ka gjasa do ta bëjë më të vështirë punën e tyre në terren dhe se zemërimi i Asad mund të kthehet kundër të huajve që aktualisht shpërndajnë ndihma ushqimore. Rusia përsëriti edhe një herë qëndrimin e vet se armatosja e opozitës nuk është një ide e mirë.


Armatosja


Rusia vlerësohet se ka furnizuar 78 për qind të importeve të armatimeve në Siri para konfliktit dhe vijon të furnizojë armë të fuqishme dhe municione. Sipas Izraelit, Irani po jep mbështetje operacionale, armatime e informacione. Irani dhe Hezbollah raportohet se kanë krijuar një forcë paraushtarake të fuqishme në ndihmë të Asad.


SHBA, së fundmi kanë vendosur sanksione ndaj disa firmave shtetërore në Biellorusi për furnizim të ushtrisë së Sirisë.


Nga ana tjetër, Arabia Saudite dhe Katari raportohet se kanë filluar të furnizojnë rebelët me para dhe me armë të lehta përmes palëve të treta që nga mesi i vitit 2012, por nuk kanë dërguar armatime të rënda si antitank dhe armë antiajrore.


SHBA thotë se ka dërguar pajisje logjistike jovrasëse. Britania dhe Franca kanë siguruar makina të korracuara.