Tregtarët e tregut të madh të qytetit, të fruta-perimeve dhe konfeksioneve, janë ngritur në protestë përpara Bashkisë së Vlorës. Ata po protestojnë kundër mbylljes së tregut në qendër të qytetit. Ky treg do të rehabilitohet si pjesë e një projekti për rehabilitimin e zonës në qendër të Vlorës, pranë Sahatit.

Në fjalën e tyre, ata thonë se nuk janë kundër rehabilitimit të tregut, por tregojnë se nuk u është dhënë zgjidhje. Janë dakord që tregu të rehabilitohet, por kërkojnë një vend të përcaktuar për të ushtruar aktivitetin e tyre.

Ata shprehen se u janë propozuar vende shumë të largëta, ku nuk ka asnjë klient. Gjithashtu, deklarojnë se do ta vazhdojnë protestën, pasi kanë marrë mall dhe u ka mbetur stok.

Ndërkohë, kërkojnë një zgjidhje dhe takim me kryebashkiaken Brunilda Mersini. Tregtarët paralajmërojnë se do të bllokojnë rrugën nëse nuk do të kenë një takim.