Apeli i GJKKO ka rrëzuar kërkesën e ish-ministrit Lefter Koka për ndryshim të masës së sigurisë, duke mbajtur në fuqi vendimin për paraburgimin e tij.

Koka kishte kërkuar lirim nga paraburgimi, duke argumentuar se kishte kaluar afati i qëndrimit të tij në këtë masë, por Gjykata ka vendosur që të mos e pranojë kërkesën e tij.

Lefter Koka është arrestuar më herët nën akuzat për korrupsion dhe shpërdorim detyre, lidhur me aferën e ndarjes së tenderëve për ndërtimin e impianteve të grumbullimit të mbetjeve. Prokuroria e Posaçme (SPAK) e akuzon atë për përfshirje në një skemë të paligjshme që ka përfituar përmes procedurave të dyshimta të tenderimit.

NJOFTIMI I APELIT TE GJKKO
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtare Miliana Muça, sot më 26.11.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 270 akti, datë 17.11.2025 regjistrimi, mbi ankimin e të pandehurit L.K., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 656 akti, datë 24.10.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: Për konstatimin e humbjes së fuqisë së paraburgimit” dhe vendosi: Miratimin e vendimit nr. 656, datë 24.10.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin e Krimin e Organizuar. U shpall në Tiranë, sot më datë 26.11.2025.