Zbardhet qëndrimi i Gjon Shkambit në gjykatën e Apelit që i la në fuqi masën e arrestit në burg.

Siç bën me dije gazetarja e Top Channel Anila Hoxha gjatë seancës me dyer të mbyllura xhaxhai i Elvis Shkambit, autori i vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja, ka shpërthyer në lot.

“Jam i keqardhur për çfarë ndodhi, po ta dija do ta kisha parandaluar”, tha i dyshuari që më herët kishte kundërshtuar masën duke u ankuar në shkallën e dytë.

Ai dyshohet për vrasje të mbetur në tentativë, teksa nipi i tij Elvisi pasi qëlloi ndaj gjyqtarit Astrit Kalaja duke e lënë atë të pajetë në podiumin ku dha vendimin e fundit, shtiu me armë zjarri edhe ndaj Ragip dhe Ervis Kurti të cilët mbetën të plagosur.

Prokurori vlerëson se Gjon Shkambi nuk reagoi dhe nuk kreu asnjë veprim dhe këtë e thotë bazuar në kamerat e sigurisë të instaluara në sallën e gjykatës ku dhe ndodhi krimi në datë 6 tetor 2025, raporton gazetarja Anila Hoxha.

Nga ana tjetër u shqyrtua edhe masa për Banush Koxhaj për të cilin foli avokatja e tij. Mbrojtja kërkoi lirimin e punonjësit të gjykatës i cili dyshohet se shpërdoroi detyrën duke mos kryer kontrollin e duhur me detektor.

“Klienti im është i sëmurë”, shtoi avokatja e cila tregoi se Koxhaj kishte qenë një punonjës i dedikuar por sidoqoftë i patrajnuar dhe kjo nuk ishte përgjegjësia e tij.

Top Channel