Apelimi


Avokati tha se ish-sekretari i deputetit të PS ndodhet në spital


Agron CaneAgron Cane, ish-sekretari i deputetit socialist, Koço Kokëdhima, i cili është arrestuar pasi dyshohet se kërkoi favore seksuale për një vend pune, nuk i ka shpëtuar burgut as pas apelimit të bërë për masën e dhënë nga Gjykata e Sarandës. Togat e zeza të Gjykatës së Apelit në Gjirokastër ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për ish-aktivistin e Partisë Socialiste.


Gjykata e Apelit në Gjirokastër ka vendosur masën e sigurisë me “arrest me burg” deri në përfundim të procesit gjyqësor. Pas vendimit të Gjykatës së Sarandës, e cila la Canen në burg, Gjykata e Apelit në Gjirokastër ka marrë nën shqyrtim ankesën e bërë nga avokati i tij, Gjergj Ymeraj. Në këtë seancë Agron Cane nuk është paraqitur në gjykatë, por është përfaqësuar nga avokati i tij. Mungesa e tij është argumentuar nga avokati me arsyen se Cane ndodhet në gjendje të rënduar shëndetësore. Prej disa ditësh, ai ndodhet i shtruar në urgjencën e spitalit të Sarandës, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Dera e dhomës në spital, ku ndodhet i shtruar Cane ruhet nga dy punonjës të policisë. Ish-ushtaraku 63-vjeçar, akuzohet për ngacmim seksual ndaj të miturve, si dhe ushtrim të paligjshëm për sigurimin e një vendi pune. Cane u arrestua më 16 gusht pas publikimit të një videoje, ku përgjatë një bisede të publikuar në media, i kërkoi nënës së 4 fëmijëve që të kryente marrëdhënie seksuale me të dhe vajzën e saj 14-vjeçare në këmbim të një vendi pune. Në deklaratën e dhënë në cilësinë e personit nën hetim, Agron (Andon) Cane ka shpjeguar funksionin e tij dhe njohjen me E. G. “Unë kam punuar si përfaqësues i zyrës së deputetit të Sarandës deri më datë 15 korrik të vitit 2014 dhe pas kësaj date figuroj i papunë. Detyra ime ishte të kontaktoja qytetarët, t’i dëgjoja dhe ankesat e tyre t’i përcillja te deputeti. Unë për detyrën që kryeja si përfaqësues i zyrës së deputetit të zonës merrja pagën prej 49 000 lekësh dhe i tërhiqja te dy banka”, ka deklaruar ai. Lidhur me E. G., ai ka sqaruar se e njihte prej janarit të vitit 2014, pasi ajo ishte paraqitur te zyra ku ai punonte dhe ka paraqitur një kërkesë për t’u punësuar. “Unë e kam dëgjuar dhe më pas e kam kontaktuar me deputetin e Sarandës. Në sajë të interesimit të deputetit, ajo është sistemuar si punonjëse te biznesi i K.L. Ajo ka punuar pranë biznesit të tij deri para një muaji. Edhe gjatë kohës që ajo ishte në marrëdhënie pune, vinte dhe më takonte, duke më kërkuar ndihmë për të gjetur punë më të lehtë, apo për të përfituar ilaçe për veten apo dhe për fëmijët”, ka deklaruar Cane. Sipas tij, herë pas here ajo është ndihmuar prej tij në cilësinë e përfaqësuesit të deputetit të Sarandës. Personi nën hetim ka sqaruar se edhe pas datës 15 korrik, megjithëse ishte larguar nga puna, përsëri shkonte herë pas here për të ndihmuar punonjësen tjetër të zyrës. “Gjatë kësaj kohe E. G. më telefononte dhe kërkonte me insistim të më takonte. Unë nuk kam kërkuar marrëdhënie seksuale me kallëzuesen dhe vajzën e saj”, – thuhet në deponim. Por, prokuroria thotë se dyshon të kundërtën, pasi disponon disa përgjime dhe tabulate telefonatash, të cilat janë siguruar pas kallëzimit të E. G. Më 15 gusht, rreth orës 9:30, i dyshuari ka telefonuar kallëzuesen, duke i thënë “hajde në zyrë urgjentisht, se më ke bërë hatanë”, por ajo i ka thënë se “nuk e di për çfarë flisni, se unë nuk ju kam bërë asgjë”. “Hajde se të dua të flasim nga afër”, ka insistuar i dyshuari, por ajo nuk ka pranuar të shkojë në këtë takim, ndërsa ai ka këmbëngulur edhe duke e telefonuar në celular. Në kallëzimin e saj, E. G. pretendon se Cane, fillimisht ka kërkuar marrëdhënie seksuale me të, por kur ka parë vajzën e saj, ka kërkuar marrëdhënie me të bijën. Takimi është bërë rreth një muaj para regjistrimit, kur ajo ka lënë punën e parë. Ajo ka shkuar të takojë Canen në zyrën e deputetit, bashkë me vajzën. Aty, ai ka pyetur vajzën për moshën, shkollën dhe si shkonte me mësimet. Vajza, pas pak minutash nga kjo bisedë, ka dalë jashtë, ndërsa kallëzuesja sërish i ka kërkuar atij t’i gjente një punë më të përshtatshme. Ai i ka thënë se “ti paske një shans më të madh për të fituar një vend pune dhe për të marrë shtëpi nga shteti, gjë të cilat i kam unë në dorë”. Në këmbim të punës dhe shtëpisë që do t’i siguronte, kallëzuesja duhet të përgatiste vajzën për ta bërë ai grua. Sipas prokurorisë, pas këtij takimi, ai ka këmbëngulur për vajzën. Në këto kushte, akuza ka regjistruar procedimin penal, fillimisht për “ushtrim të ndikimit të paligjshëm”, por tashmë edhe për “ngacmim seksual”. Prokuroria thotë se është vërtetuar se vepra penale ka ndodhur dhe pasoja e rëndë ka ndodhur. “Ky vërtetim është provuar dhe dokumentuar në fashikullin e procedimit, me procesverbalin e kallëzimit, me procesverbalin e këqyrjes së provave materiale dhe me akte të tjera, për të cilat organi i procedimit ka vendosur të jenë sekrete”, deklaron prokuroria, e cila sot do të kërkojë caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg” për këtë të dyshuar. Re. Rre.