Ish-presidenti Ilir Meta ka kërkuar të pyetet si person në dijeni për ngjarjen tragjike të ’21 Janarit’, ku humbën jetën katër protestues gjatë demonstratës kundër qeverisë. Ky kërkesë u shpreh pas përfundimit të seancës paraprake të zhvilluar sot në GJKKO, ku avokati i tij, Kujtim Cakrani, foli për mediat duke zbuluar disa detaje të reja nga mbrojtja.

Sipas avokatit, Meta ka në dispozicion prova dhe dokumente të rëndësishme lidhur me ngjarjen, përfshirë dokumente që janë të klasifikuara si sekrete shtetërore. Cakrani theksoi se shpjegimet e Metës për ngjarjen do të shoqërohen me prova konkrete dhe akte të cilat mund të hedhin dritë mbi të vërtetën. Ai shtoi se Meta do të nxjerrë emrat dhe detaje të tjera kur të japë dëshminë e tij në gjykatë.

“Shpjegimet e zotit Meta nuk janë vetëm fjalë, por edhe prova dhe akte. Ka disa dokumente që janë të sekretuar, po deshët ju. Emrat do t’i nxjerrë zoti Meta kur të dëshmojë”, tha Cakrani.

Në lidhje me seancën paraprake, avokati njoftoi se seanca është shtyrë për më 5 dhjetor, pasi mbrojtja ka kërkuar më shumë kohë për t’u njohur me aktet dhe materialet e dosjes.