Ka përfunduar seanca gjyqësore për ish-presidentin Ilir Meta, i cili ndodhet në paraburgim që prej tetorit të vitit të kaluar. Në këtë seancë, Meta ka kërkuar një masë më të butë sigurie.
Megjithatë, gjyqtari Erjon Bani, me kërkesë të avokatit Kujtim Cakrani, shpalli moskompetencën për të shqyrtuar çështjen. Sipas tij, kjo çështje duhet të trajtohet nga gjyqtari Erjon Çela, i cili ka vendosur masën fillestare të sigurisë dhe ka ndjekur hetimet paraprake.
Avokati Cakrani tha për Top Channel se në kërkesën paraprake i kishte kërkuar gjyqtarit Bani të tërhiqej për shkak të mungesës së kompetencës.
Seanca e mbajtur këtë të premte në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) u zhvillua pa praninë e Metës dhe prokurorëve të çështjes. I vetmi përfaqësues i akuzës në sallë ishte prokurori i gatshëm, Alfred Shehu.
Çështja pritet të kalojë për shqyrtim te gjyqtari Erjon Çela.
