Kryeministri Edi Rama ka komentuar sërish debatin mbi kërkesën e gjyqtarëve për rritje pagash, gjatë podcastit të tij të përjavshëm “Flasim”.

Duke iu referuar zhvillimeve të javës politike, Rama theksoi se çështja e pagave të gjyqtarëve ka shkaktuar reagime të forta në opinionin publik, ndërsa nënvizoi se rritja e tyre nuk mund të jetë e përhershme dhe se sistemi i pagave duhet të respektojë hierarkinë shtetërore. Ai shprehu pritshmërinë që Gjykata Kushtetuese të japë një vendim përfundimtar, duke vënë “vulën” mbi këtë çështje.

“Përsëri ështja e pagave të gjyqtarëve ka qëndruar në rendin e ditës. Ka pasur shumë komente, ka pasur shumë çudira, ka pasur dhe shumë absurditete që e kanë shoqëruar këtë debat, ku për fat të keq përmes disa shoqatash, 2 shoqata gjyqtarësh dhe 1 shoqatë prokurorësh, që gjykatësit janë vetëvendosur në syrin e një cikloni popullor, në kuptimin e një pakënaqësie popullore, lidhur me kërkesën e tyre për të rritur pagat dhe këtë e tregojnë, jo vetëm të dhënat e anketimit tonë të brendshëm, që janë rreth 90% e shqiptarëve që e refuzojnë idenë që gjykatësve duhet t’u rriten pagat, madje ka një përqindje të tyre që thonë duhet të ulen pagat, gjë që është absolutisht e padrejtë, e pamundur dhe e pamenduar nga askush. Ndërkohë që vetë gjykatësit pretendojnë që ne duam t’i ulim pagat dhe më e bukura në një insistim të një arsyetimi absolutisht të pajustifikueshëm për nga shëndeti logjik, zërat që e përfaqësojnë atë kategori thonë se pagat e tyre po ulen për shkak se pagat e të tjerëve po rriten.

Domethënë, edhe një here, çfarë ne kemi bërë me reformën në drejtësi, ka qenë shprehja e një vullneti shumë të fortë edhe në drejtim të rritjes së pagave të gjyqtarëve.

U kemi dhënë atyre mesazhin që taksapaguesit shqiptarë do bëjnë një sakrificë dhe do të paguajnë ekstra për të gjithë ata ndër ju, që pasi të kalojnë procesin e vettingut, do të përballen me sfidën e madhe të pavarësisë së pushtetit gjyqësor dhe të ndërtimit të një ngrehine solide, bazuar mbi parimet dhe vlerat e Kushtetutës dhe të jetës demokratike, të atij pushteti në shërbim të qytetarëve dhe si garant i barazisë përpara ligjit dhe këtë bëmë, duke thyer praktikisht piramidën e pagave në çdo vend të botës. Ka një piramidë pagash, e cila fillon me Presidentin e Republikës dhe zbret. Ndërkohë që, në mënyrën më të vetëdijshme pagat e gjyqtarëve, ne i rritëm mbi të gjithë. I rritëm mbi të gjithë për ato arsye që thashë, por nuk i vendosëm mbi të gjithë me idenë që sa herë do rriten këto, do rriten dhe këto dhe që Shqipëria do t’u bëka vendi i vetëm në planet ku mbi të gjithë, dhe të gjitha është kasta e gjykatësve.

Kjo nuk mund të ndodhë dhe kjo nuk ka për të ndodhur. Të paktën jo me me mua dhe Partinë Socialiste të Shqipërisë si shumicë qeverisëse dhe jo në asnjë mënyrë, si një sfidë ndaj pushtetit gjyqësor, por si një thirrje, si një domosdoshmëri e brendshme e shtetit që të gjitha kategoritë e shërbëtorëve të tij, përfshirë dhe gjykatësit të kenë sensin e së drejtës dhe sensin e shtetit, duke mos kërkuar “qiqra në hell’ as më tepër pastaj, duke përdorur dhe gurin dhe arrën që gjykatësit kanë në dorë vetë. Kjo është shumë e thjeshtë dhe kjo është dhe arsyeja pse unë nuk kam hyrë në asnjë polemikë, me asnjë person se nuk ka asgjë personale në këtë, ndërkohë që siç ndodhi, jam sulmuar personalisht dhe është sulmuar qeveria nga autorët e deklaratës së një shoqate të gjykatësve që jam i bindur që nuk janë konsultuar me të gjithë gjykatësit për tekstin se jam i sigurtë që do t’i thoshin “Ej, po çfarë po bëni, ne jemi këtu për të kërkuar diçka për veten tonë, por nuk jemi këtu për të bërë politikë dhe për të sulmuar qeverinë e kësaj republike si të ishim parti politike”, apo jo?

Gjithësesi, mendoj që pozitive është që nuk ka pasur reagim të reagimit tim. Nuk dua të bëj polemikë, dua vetëm të them që gjykatësit nuk mund të kenë një rritje pagash të përjetshme mbi të gjithë të tjerët, dhe gjykatësit nuk mund ta rrisin pagën e tyre me 2 mijë dhe 3 mijë euro në muaj, plus nga ajo që marrin, që është më e lartë sesa ç’marrin sot të gjithë të tjerët.

Kjo nuk ka për të ndodhur! Nuk mund të ndodhi!

Nuk duhet të ndodhi dhe shpresoj që Gjykata Kushtetuese t’i vëri vulën një herë e mirë këtij debati absurd dhe këtij debati që  e dëmton në sytë e opinionit publik besueshmërinë, padrejtësisht, besueshmërinë e gjykatësve, sepse në këtë rast kemi, thashë një përfaqësi, nuk janë të gjithë, nuk është i gjithë komuniteti që është vendosur në llogore.

Ka një përfaqësi që ka vajtur në Gjykatën Kushtetuese dhe ne jemi atje palë, dhe jemi kundër fuqimisht kundër, dhe jo kundër tyre, por kundër idesë se këtu mund të jetë edhe në këtë rast, ‘alla shqiptarshe’ që s’ndodh në asnjë vend të botës. Kaq e thjeshtë është kjo!”, tha Rama.