Kundërshtimet ndaj reformës së re territoriale janë zhvendosur edhe në Bashkinë Dimal, ku banorët kanë dalë kundër planit që parashikon heqjen e kësaj njësie nga harta administrative e vendit.
Qytetarët shprehen se shkrirja e Bashkisë Dimal do të ndikojë negativisht në ofrimin e shërbimeve publike dhe do të dobësojë lidhjen e komunitetit me institucionet e qeverisjes vendore.
Përveç reagimeve publike, banorët kanë ndërmarrë edhe një peticion, përmes të cilit kërkojnë që Bashkia Dimal të ruajë statusin e saj dhe të vijojë të funksionojë si njësi e pavarur e qeverisjes vendore.
Reforma territoriale e propozuar nga mazhoranca ka nxitur debate dhe kundërshtime në disa zona të vendit. Pas protestave të zhvilluara në Klos, edhe banorët e Dimalit i janë bashkuar reagimeve, duke kërkuar që strukturat aktuale administrative të mos ndryshohen.
