Këshilli i Lartë Gjyqësor ka rrëzuar një kërkesë të dhjetë ish-anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, të cilët kërkuan të emëroheshin gjyqtarë Apeli pas përfundimit të mandatit të tyre si shkalla e parë e vettingut.

Gjatë mbledhjes plenare të rradhës KLGJ vendosi të mos pranojë kërkesën e Suela Zhegut, Firdes Shulit, Alma Faskajt, Brunilda Bekteshit, Pamela Qirkos, Olsi Komicit, Valbona Sanxhaktarit, Xhensila Pines, Etleda Çiftjas dhe Roland Ilisë. Pas hedhjes së shortit, Këshilli vendosi për zëvendësimin e nëpunëses përgjegjëse për vlerësimin Merita Karaj në procedurat e vlerësimit etik dhe profesional të gjyqtarëve. Këshilli vendosi gjithashtu caktimin me short të relatorit për procedimin disiplinor ndaj gjyqtares së Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, Suela Dashi.

Në përfundim, Këshilli vendosi për miratimin e procesverbaleve të mbledhjeve të Këshillit të Lartë Gjyqësor të datave 29.04.2026 dhe 06.05.2026.

Njoftimi i plotë:

Sot, më datë 10.07.2026, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi Mbledhjen Plenare të radhës, në të cilën shqyrtoi çështjet si më poshtë: Në përmbushje të detyrimeve ligjore, Këshilli miratoi raportin e vlerësimit etik dhe profesional të gjyqtares znj. Brunilda Kadi, për vitin 2024. Këshilli vendosi të shtyjë shqyrtimin e projektvendimit “Për vlerësimin etik dhe profesional të gjyqtarit z. Adrian Shega për periudhën 2021-2023”. Këshilli vendosi për caktimin me short të relatorit për procedimin disiplinor nr. 1/2026, të filluar ndaj magjistrates znj. Suela Dashi, me funksion gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër. Këshilli vendosi për zgjatjen e afatit të caktimit në skemën e delegimit të gjyqtarit z. Sokol Ibi. Në vijim, Këshilli miratoi vendimin për ricaktimin e gjyqtarit të skemës së delegimit z. Sokol Ibi, në Gjykatën Administrative të Apelit.

Këshilli vendosi rrëzimin e kërkesave, për caktimin në pozicionin gjyqtar në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm për:

  • znj. Suela Zhegu;
  • znj. Firdes Shuli;
  • znj. Alma Faskaj;
  • znj. Brunilda Bekteshi;
  • znj. Pamela Qirko;
  • z. Olsi Komici;
  • znj. Valbona Sanxhaktari;
  • znj. Xhensila Pine;
  • znj. Etleda Çiftja;
  • z. Roland Ilia.

Pas hedhjes së shortit, Këshilli vendosi për zëvendësimin e nëpunëses përgjegjëse për vlerësimin znj. Merita Karaj në procedurat e vlerësimit etik dhe profesional të gjyqtarëve. Më tej, Këshilli vendosi për deklarimin e përfunduar pa një vendim përfundimtar të procedurës së verifikimit të pasurisë dhe figurës për kandidaten për në programin e formimit fillestar, në Shkollën e Magjistraturës, viti akademik 2026-2027, profili ndihmës ligjor, znj. Kledjana Llalla. Këshilli vendosi të shtyjë shqyrtimin e projektvendimit “Mbi rishpërndarjen (transferimin) e fondeve buxhetore në programin 03310, buxheti i gjykatave, në shpenzime korrente, për vitin buxhetor 2026”. Në përfundim, Këshilli vendosi për miratimin e procesverbaleve të mbledhjeve të Këshillit të Lartë Gjyqësor të datave 29.04.2026 dhe 06.05.2026.