Gjykata e Posaçme ka rrëzuar kërkesën e Argita dhe Jamarbër Malltezi për heqjen e sekuestros mbi pasuritë e tyre. Vendimi, i marrë nga gjyqtarja e posaçme Elsa Ulliri, ka konstatuar se kërkesa e çiftit është e pabazuar.

Pasuritë e Malltezëve u vunë nën sekuestro pas dyshimeve për origjinën e pasurisë së tyre, e cila dyshohet të ketë rrjedhur nga burime të pajustifikuara. Kjo është një tjetër zhvillim në hetimet ndaj Jamarbër Malltezit, i cili është nën akuzë për korrupsion dhe pastrim parash, në kuadër të dosjes “Partizani”.

Në këtë dosje, së bashku me Jamarbër Malltezin, po gjykohet edhe ish-kryeministri Sali Berisha, si dhe disa bashkëpunëtorë të tjerë.

Megjithatë, seanca për këtë çështje u shty për shkak të mungesës së avokatit Sokol Hazizaj, i cili përfaqëson të pandehurin Fatmir Bektashi dhe disa shoqëri, si Kontakt ShPK dhe Home Plan ShPK. Gjykata e pranoi kërkesën e avokatit Hazizaj dhe shtyu seancën për datën 10 nëntor.