Këshilli Bashkiak i Tiranës i kërkon SPAK-ut dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve që të lejojë kryebashkiakun Erion Veliajn, i cili ndodhet i paraburgosur në burgun e Durrësit, të marrë pjesë fizikisht ose online në mbledhjen e ardhshme që do të zhvillohet të premten e kësaj jave, më 21 nëntor 2025.

Në kërkesën e firmosur nga 22 anëtarë socialistë, drejtuar këtyre 2 institucioneve, thuhet se pjesëmarrja e Kryetarit të Bashkisë është një e drejtë funksionale e garantuar me ligj, e nevojshme për prezantimin e drafteve, buxhetit, raportimeve vjetore dhe çështjeve të administrimit të njësisë së vetëqeverisjes vendore.

Paralalelisht me kërkesën drejtuar SPAK-ut dhe Drejtorisë së Burgjeve, Këshilli Bashkiak i Tiranës i kërkon kryetarit Veliaj objektivat e tij të zhvillimit për Tiranën për vitin 2026 dhe prioritetet e investimeve kapitale, duke specifikuar projektet e reja të Bashkisë Tiranë, për t’i pasqyruar ato në projektbuxhetin e bashkisë për vitin 2026.

Kërkesa e Këshillit Bashkiak drejtuar SPAK dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve:

Të nderuar përfaqësues të institucioneve,

Këshilli Bashkiak i Tiranës, në zbatim të detyrimeve të tij ligjore dhe me qëllim garantimin e funksionimit të rregullt institucional, ju drejtohet për të kërkuar mundësimin e pjesëmarrjes së Kryetarit të Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj, në mbledhjen e radhës të Këshillit Bashkiak, e  cila do të zhvillohet ditën e premte më datë 21/11/2025, ora 10:00 në ambientet e Bashkisë Tiranë.

Sipas Ligjit nr. 139/2015 “Për Vetëqeverisjen Vendore”, konkretisht:

Neni 58, pika 4, përcakton se Kryetari i Bashkisë ka të drejtë të marrë pjesë në mbledhjet e Këshillit Bashkiak dhe të raportojë.

Neni 60, përcakton bashkëpunimin e detyrueshëm ndërmjet Kryetarit të Bashkisë dhe Këshillit Bashkiak për çështje të interesit publik.

Duke qenë se pjesëmarrja e Kryetarit të Bashkisë është një e drejtë funksionale e garantuar me ligj, e nevojshme për prezantimin e drafteve, buxhetit, raportimeve vjetore dhe çështjeve të administrimit të njësisë së vetëqeverisjes vendore, ju kërkojmë që, nëse ndaj tij janë duke u zbatuar masa kufizuese, të vlerësohet:

 – lejimi i përkohshëm për pjesëmarrje fizike,

ose, nëse kjo nuk është e mundur,

 – mundësimi i pjesëmarrjes së tij nëpërmjet një modaliteti të përshtatshëm komunikimi (online, videokonferencë apo formë tjetër të aprovuar).

Këshilli Bashkiak është i gatshëm të bashkëpunojë plotësisht për çdo kërkesë sigurie, protokolli apo logjistike të institucioneve tuaja, me qëllim garantimin e një procesi ligjor, transparent dhe funksional.

Ju lutemi të na informoni me shkrim mbi vendimmarrjen tuaj, duke pasur parasysh rëndësinë e respektimit të funksioneve institucionale dhe të të drejtës së Kryetarit të Bashkisë për të raportuar para Këshillit Bashkiak.

Kliko këtu për të lexuar shkresën për kryebashkiakun Erion Veliaj

Kliko këtu për të lexuar kerkesën drejtuar SPAK dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve