Anëtarët opozitarë do të kërkojnë transparencë për bilance, buxhete, investime, financime
Lorina Mixha
Anëtarët opozitarë të këshillit bashkiak, përkatësisht anëtarët e LSI-së bashkë me anëtarët e Partisë Socialiste tanimë në mazhorancë në vendimmarrjen e Parlamentit vendor, pas ndryshimit të kreut, kanë në listë edhe punë të tjera.
Këshilltarët opozitarë brenda 10 ditëve, kur është vendosur edhe afati i fundit i mbledhjes së këshillit bashkiak me rend dite, shkarkimin e kryetarit aktual, Njazi Kosovrasti, dhe emërimin e anëtarit të ri, Aldrin Dalipi, do të kërkojnë transparencë për të gjithë punët e qytetit.
Deri tani, sipas anëtarëve opozitarë nuk u është dhënë mundësi dhe nuk u është krijuar hapësira për të parë sesi menaxhohen paratë e bashkisë së kryeqytetit, si kontrollohen, auditi, si dhe gjithçka që ka lidhje të drejtpërdrejtë me përdorimin e fondeve.
Kështu që në këto kushte ata do të kërkojnë transparencë për gjithçka që bën bashkia, zyra e financës, e burimeve mbështetëse, zyra e tenderimeve dhe çdo shërbim e sektor tjetër që ka lidhje me paratë, financat, buxhetet, fondet dhe investimet. Nëpërmjet shkresave zyrtare, kërkesave, por edhe lutjeve, anëtarët opozitarë pretendojnë se nuk kanë marrë transparencë dhe nuk i kanë pasur dyert e hapura në bashkinë e kryeqytetit. Ndërkohë që kreu aktual i bashkisë që me ardhjen e tij në vitin 2011, ka vendosur në dispozicion një zyrë ku qytetarët e Tiranës të mund të marrin informacion, si dhe ka caktuar në mënyrë periodike, takime me popullin, tryeza me qytetarët e Tiranës për të biseduar lidhur me problematikat e tyre, sugjerimet apo edhe ankesat nga jeta e tyre e përditshme.
“Na është mohuar informacioni, kemi kërkuar nëpërmjet dhjetëra shkresave informacion për mënyrën sesi funksionon këshilli bashkiak, kemi kërkuar informacione për kontrollin, auditin e Bashkisë së Tiranës. Duke pasur kryetarin e këshillit për ne do të realizohet më shumë transparencë për qytetarët, për fondet, për shërbimet për pastërtinë e qytetit, për lehtësi dhe facilitete për qytetarët. Neve deri tani kryetari i këshillit na ka mohuar fjalën, nuk na ka lënë të flasim, na ka vendosur censurë. Ka shurdhëri dokumentacioni, nuk ka transparencë për vendimmarrjen në buxhet, shpenzimet. Qëllimi ynë me ndryshimin e kryetarit është t’i shërbejmë qytetarit”, sqaroi anëtari i PS-së i këshillit bashkiak, Gent Gazheli. Sipas tij, ata nuk janë njoftuar për mbledhje nga Këshilli Bashkiak, por shtyrja dhe zvarritja e mbledhjes për shkak të ndryshimeve nuk do të ndryshojë iniciativën e shkarkimit të Njazi Kosovrastit.
Sipas legjislacionit në fuqi për organizimin e pushtetit vendor minimumi i mbledhjes së këshillit bashkiak është 1 herë në muaj, më pas vendoset për mbledhje në varësi të kërkesave dhe punëve që kanë përfaqësuesit e qytetit lidhur me ecurinë e projekteve të Tiranës. Pak ditë më parë 1/3 e anëtarëve të këshillit bashkiak mbi 19 këshilltarë kanë firmosur kërkesën për mbledhjen e Parlamentit vendor brenda 10 ditëve dhe shkarkimin e kreut aktual.