Komisioni i Ligjeve në Bashkinë e Tiranës do të mblidhet sot në orën 10:00, me pikën e vetme në rend dite: shqyrtimin e shkarkimit të kryebashkiakut të arrestuar, Erion Veliaj. Po sot, në orën 16:00, Këshilli Bashkiak i Tiranës do të votojë për shkarkimin e tij nga detyra.
Veliaj ka kërkuar të marrë pjesë dhe të flasë në mbledhje, por Këshilli i është përgjigjur se, nëse nuk mund të jetë i pranishëm, mund të dërgojë një shkresë me komentet e tij, e cila do të lexohet para anëtarëve. Ai ka lënë gjithashtu të hapur mundësinë e ankimit të vendimit në Gjykatën Kushtetuese, gjë që mund të ndalonte mbajtjen e zgjedhjeve të reja në kryeqytet.
Ndërkohë, SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka çuar për gjykim në Gjykatën e Posaçme dosjen ndaj Veliajt, ku përfshihen 13 akuza ndaj tij dhe 12 të tjera ndaj bashkëshortes, Ajola Xoxa. Hetimet kanë treguar se çifti, në të paktën 9 raste, kanë përfituar shuma të parregullta parash dhe pasuri të paluajtshme nga subjekte tregtare e OJF, të cilat më pas kanë siguruar leje ndërtimi ose fonde publike nga Bashkia Tiranë.
Sipas dosjes, vetë Veliaj, me firmën e tij si kryetar bashkie, ka miratuar shpërndarjen e këtyre fondeve, të cilat përfundonin në OJF të kontrolluara nga Xoxa ose individë të afërt me ta. Po ashtu, ata kanë përfituar pasuri të paluajtshme me vlerë të lartë nga kompani që kishin marrë fonde publike e leje ndërtimi nga bashkia.
SPAK thekson se këto veprime përbëjnë elementë të veprës penale të “korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”, parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal, ndërsa subjektet tregtare e organizatat që dhanë përfitime të paligjshme kanë konsumuar elementët e parashikuar nga neni 245 i të njëjtit Kod.